ELBASAN – Një superoperacion ndërkombëtar i ndërmarrë nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me INTERPOL-in dhe EUROPOL-in ka çuar në shkatërrimin e një laboratori gjigant droge në fshatin Xibrakë të Elbasanit, ku përpunohej kokainë me destinacion tregjet europiane. Gjatë operacionit, i cili nisi pasditen e djeshme, janë vënë në pranga 11 persona, 10 prej të cilëve shqiptarë dhe 2 kolumbianë, por rreth mbrëmjes njeri prej tyre, Egest Dankësiu la i lirë. Policia ka shpallur në kërkim edhe shtetasin Genci Xhixha, 35-vjeç i dyshuar si pjesë e grupit të trafikut të drogës.


Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Shtetit si dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë bënë me dije se njëri prej të arrestuarve shqiptarë është nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha. Përveçse në Elbasan, operacioni është shtrirë edhe në Tiranë dhe Durrës. Mësohet se ka qenë një sinjalizim nga autoritetet gjermane, i cili ka çuar në zbulimin e rrjetit të drogës. Dyshohet se kokaina vinte në Shqipëri me kontenierë nga Amerika Latine dhe më pas kishte si destinacion tregjet europiane. Policia pohon se grupi i kokainës e zhvillonte aktivitetin në Shqipëri prej një viti, ndërsa më herët punonte në linjën Spanjë-Holandë.



Forcat RENEA kanë sjellë sot në Tiranë dy shtetasit kolumbianë të arrestuar mbrëmjen e së mërkurës gjatë operacionit të koduar “Xibraka” në Elbasan. Gjithashtu mësohet se forcat speciale të RENEA-s do të sjellin në Tiranë dhe vëllezërit Dalipi. Sipas informacioneve, dy kolumbianët u prezantuan si futbollistë të skuadrës së Elbasanit.

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Artan Didi, kanë udhëtuar sot drejt Elbasanit, aty ku u zbulua dhe laboratori i përpunimit të kokainës, ku janë takuar me Drejtorin e Policisë së Qarkut të Elbasanit, Neritan Nallbati.

LABORATORI I DROGËS, EGEST DANKËSI NGA ELBASANI U LA I LIRË
Bëhet me dije se njëri prej të arrestuarve në operacionin policor për shkatërrimin e një laboratori droge në Xibrakë të Elbasanit, është lënë i lirë. Mësohet se është lënë i lirë pas hetimeve të policisë shtetasi Egest Dankësi, vjeç 27, lindur dhe banues në Elbasan.

Burime nga policia bëjmë të ditur se pas verifikimeve, 27-vjeçari Dankesi, ka qenë menaxher i kompanisë së reklamave të vëllezërve Arjan e Kelment Dalipi, (të dy të arrestuar me akuzën e trafikut të lëndëve narkotike), ndërsa nuk vërtetohet që i riu të jetë i përfshirë në trafikun e drogës.

Në momentin e arrestimit thuhet se Ergest Dankesi ka qenë nën shoqërinë e dy vëllezërve Dalipi, por pas verifikimive të kryera nga forcat e rendit, 27-vjeçari është lënë i lirë këtë të enjte.

LABORATORI I DROGES, NE KERKIM EDHE NJE TJETER I DYSHUAR SI PJESE E GRUPIT
Një tjetër person shpallet në kërkim pasi dyshohet të jetë pjesë e grupit të trafikut të drogës, i zbuluar mbrëmjen e djeshme në Xibrakë. Policia bën me dije se ka shpallur në kërkim shtetasin Genci Xhixha, 35-vjeë, i dyshuar si pjestar i grupit që trafikonte kokainë.

POLICIA: JA DETAJET E OPERACIONIT
Strukturat e Departamentit për Krimin e Organizuar dhe Krimet e Renda në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe konkretisht, Sektori për Narkotikët, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacinale, në bashkëpunim më Prokurorinë e Krimeve të Rënda pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, D.P.Q Tiranë, D.P.Q Elbasan, dhe DPQ Durrës, si dhe në bashkëpunim me autoritet policorë Gjermane, pas një hetimi proaktiv disa mujorë ku janë aplikuar të gjitha format dhe metodat bashkëkohore të hetimit, më datë 14.01.2015 u finalizua me sukses operacioni policor  “Xibraku”.

Prej disa kohësh Policia e Shtetit ka qenë duke hetuar për aktivitetin e këtij grupi të përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike. Falë bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtar dhe shkëmbimit të informacionit, është bërë e mundur identifikimi i pjesëtarëve të këtij grupi, dhe mbajtja e tyre në kontroll si dhe  dokumentimi i aktivitetit kriminal.

Në funksion të këtij hetimi është regjistruar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda procedimi penal nr. 335, viti 2014 dhe për hetimin e këtij grupi, strukturat e hetimit në Departamentin  për Krimin e Org.&Kr.e Renda kanë përdorur të gjitha format dhe metodat e parashikuara në ligj me qëllim  dokumentimin e këtij aktivitetit kriminal.

Nga hetimet paraprake rezulton se bëhet fjalë për një grup të strukturuar, me një aktivitet kriminal me shtrirje ndërkombëtare të trafikut të narkotikëve nga Amerika Latine në Ballkan dhe me destinacion Europen Perendimore.

Grupi kriminal siguronte lëndë me përmbajte të substancave narkotike te cilat më pas i nënshtroheshin një procesi  përpunimi dhe nxjerrjes së substancës së pastër kokaine me qëllim përdorimin në tregun e brendshëm dhe atë ndërkombëtar.

Me qëllim përpunimin “profesional” të lëndës narkotike dhe përgatitjen përfundimtare të saj për treg, organizata kriminale ka rekrutuar dhe angazhuar në përbërjen e saj, shtetas kolumbian, të arrestuar në këtë operación.

Në  kuadër të këtij operacioni policor, të shtrirë në tre qarqe, Tiranë, Elbasan dhe Durrës , u bë e  mundur arrestimi i shtetasve:

  1. Saimir Sadik Batku, vjeç  43, lindur dhe banues ne Tirane.
  2. Fatmir Xhemal Hoxha, vjeç 48, lindur dhe banues ne Tirane, .
  3. Kastriot Haxhi Imeri, vjeç 47, lindur dhe banues ne Tirane, .
  4. Gentjan Hasan Gjonaj,vjeç 43, banues ne Vlore .
  5. Arjan Zeni Dalipi, vjeç 50, banues në Elbasan .
  6. Kelment Zeni Dalipi, vjeç 45,  banues në Elbasan.
  7. Cezar Adolfo Avila lindur ne Tunja Kolumbi, vjeç 67.
  8. Walther Moren, Juan Moreno, vjeç 42 banues ne Bucarama nga, Kolumbi
  9. Ilir Skender Hyseni, vjeç 47,  banues në Tiranë .
  10. Ermal Ilir Hoxha, vjeç 40 , banues ne Tiranë.
  11. Egest Dankësi, vjeç 27, lindur dhe banues në Elbasan.

U bë sekuestrimi i provave materiale të lidhura me aktivitetin kriminal:

  • Sasia prej 19 kilograme e 416.2 grame lëndë narkotike e dyshuar Kokaine.
  • 77.727 kg e dyshuar si lende narkotike e llojit kokaine.
  • 19.8 kg e dyshuar si perzierës i lendes narkotike kokaine.
  • 359.400 Euro.
  • 2.769.000 lek të reja.
  • 4150 Dollare Amerikan.
  • Jane sekuestruar pese cope karta kredite dhe nje cek me vlere 4.500 dollare.
  • Nje arme zjarri automatik model 56.
  • Nje arme zjarri Revolver me mulli.
  • Një armë zjarri e tipit pistoletë me caliber 9 mm.
  • Tre arme gjahu, shotgan, cifte dhe nje teke.
  • 174 fisheke te modeleve dhe kalibrave te ndryshme.
  • 50 fishekë luftarake me calibër 9 mm.
  • Katër automjete të tipeve të ndryshme.
  • Një makineri vakumi e cilësisë së lartë.
  • Një peshore elektronike.
  • 25 aparate telefoni celulare.
  • Janë sekuestruar pese ora te markave te ndryshme.
  • Janë sekuestruar edhe dy automjete.
  • Janë sekuestruar aksesore për prodhimin dhe paketimin e lendes narkotike te llojit kokaine, si presa, peshore te llojeve te ndryshme, mikrovala etj.
  • Jane sekuestruar sasira të konsiderueshme të substancave dhe perkursoreve, dhe përzieres që shërbejnë për prodhimin e substancave narkotike
  • Si dhe nje sasi e konsiderueshme dokumentesh të ndryshme si mandate arkëtimi, kupona tatimore etj. të cilat hedhin drite mbi aktivitetin kriminal të shtetasve të lartëpërmendur.

Gjithashtu strukturat e specializuara  të hetimit në Departamentin për Krimin e Organizuar dhe Krimet e Rënda në Drejtorinë e Përgjithshme kanë filluar menjëherë hetimin pasurore dhe vendosur sekuestron për asetet kriminale të pjesëtareve të kësaj organizate kriminale.

Hetimi i kësaj Organizate Kriminale bëhet  për veprën penale te “Trafikimit te Lendeve Narkotike”, 283/a/2 “ Organizimi dhe drejtimi i organizatave kriminale lidhur me prodhimi, fabrikimin ose trafikun e paligjshëm të narkotikeve “284/a,  dhe “Armëmbajtje pa leje e Armeve dhe Municioneve Luftarake “ 278/2 dhe 278/5 te Kodit Penal.

CILËT JANË TË ARRESTUARIT
Gjashtë shtetasit shqiptarë të arrestuar gjatë aksionit të djeshëm të Policisë rezultojnë persona të njohur për organet e Drejtësisë. Prej më se dy muajsh ata mbaheshin në vëzhgim, ndërsa komunikimet e tyre gjatë aktivitetit kriminal janë përgjuar. Sipas të dhënave të grumbulluara gjatë hetimit, rezulton se të arrestuarit kanë në pronësi biznese të shumta kryesisht në Tiranë, por edhe në Elbasan. Referuar të dhënave të hetimit, mësohet se gjashtë shqiptarët e arrestuar kanë në pronësi lokale të ndryshme në kryeqytet dhe në Elbasan, ndërsa kanë edhe depozita të konsiderueshme bankare. Sipas hetimeve, dy prej personave të vendosur në pranga rezultojnë të jenë aksionerë edhe në kompani të mëdha biznesi, që merren me aktivitet ndërtimi në Tiranë. Të gjitha këto pasuri janë bërë tashmë objekt hetimi nga ana e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, pasi aktiviteti kriminal i të arrestuarve ka qenë fitimprurës. Vetëm gjatë aksionit të djeshëm mësohet se policia u ka sekuestruar të dyshuarve 330 mijë euro, 10 makina luksoze, 3 mijë dollarë dhe 120 aparate celularë.

POLICIA E DURRËSIT: JA SI U ARRESTUA ERMAL HOXHA
Ermal Hoxha, nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha, është arrestuar mbrëmjen e djeshme në Durrës, pas zbulimit të laboratorit të kokainës në Xibrakë të Elbasanit. Burime zyrtare nga Policia e Durrësit bëjnë të ditur se arrestimi i Hoxhës është kryer rreth orës 01:30 të datës 14/01/2015, në shtëpinë e prindërve të bashkëshortes së tij në qytetin bregdetar.

“Më datë 14.01.2015 ora 01:30, nga ana e Specialistëve të Seksionit për Narkotikët në Drejtorinë e Policisë Qarkut Durrës, është bërë kapja dhe arrestimi i shtetasit: Ermal Hoxha i biri i Ilir-it dhe i Teutë-s, 40 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, Rruga “Foto Xhavella”, Unaza e Re, me shtetësi dhe kombësi shqiptare. Arrestimi i këtij  shtetasi është  bërë  në  funksion  të  Procedimit  Penal Nr. 334 viti 2014, të Prokurorisë pranë Gjykatës për Krime të Rënda Tiranë, për veprën penale të “Trafikimit të Lëndëve Narkotike” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 283/a-2 i K.Penal.”- thuhet në deklaratën e Policisë së Durrësit.

POLICIA: LABORATORI U ZBULUA PAS PËRGJIMEVE TË ILIR HYSENIT
Burime zyrtare nga Policia e Shtetit bënë me dije se kanë qenë autoritetet gjermane që sinjalizuan për trafikun e kokainës. Mësohet se autoritetet e këtij vendi i kanë kërkuar informacion policisë shqiptare për Ilir Hysenin, pasi dyshohej se trafikonte kokainë nga Shqipëria drejt Gjermanisë. Menjëherë pala shqiptare ka nisur hetimet, duke vënë në përgjim Hysenin. Nga përgjimet dhe hetimet e kryera është bërë e mundur që të zbulohet laboratori i drogës në fshatin Xibrakë të Elbasanit. Policia në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë dhe me struktura të tjera kanë rënë dakord që superoperacioni antidrogë të zhvillohej ditën e djeshme. Dyshohet që Ilir Hyseni të jetë kapo i trafikut të kokainës. Ndërkohë, po hetohet intensivisht për identifikimin dhe zbulimin e të gjithë personave të përfshirë në rrjetin e fundit të trafikut ndërkombëtar të drogës.

(er.nu/ma.ar/BalkanWeb)

Etiketa: