Laçi luan sot një ndeshje shumë delikate për vazhdimësinë në kampionat, teksa pret Tiranën, e cila është rivale direkte në zonën e ftohtë të tabelës. Ndeshja që nis në orën 13:30 në stadiumin e Laçit, i gjen bardhezinjtë e drejtuar nga Françesko Moriero më të karikuar se kurrë për t’u rikthyer te fitorja.
Ky takim është i fundit për këtë vit dhe për më tepër në prag të festave, prandaj dhe në Laç duan me çdo kusht t’i bëjnë një mbyllje me fitore në shtëpi 2024-ës. Trajneri Moriero nuk do të ketë të gatshëm një titullar fiks si Ledjo Tresa, i cili ka plotësuar numrin katër të kartonëve të verdhë.
Nga ana tjetër, skuadrës i rikthehet një element i rëndësishëm në mesfushë si Enriko Papa, i cili ka shlyer pezullimin në ndeshjen e fundit kundër Vllaznisë. Pritet që italiani i pankinës të bëjë pak ndryshime në formacion, krahasuar me takimin në Shkodër.
Një dilemë është në qendër të mbrojtjes, aty ku Moriero ka përdorur herë nigerianin Opeh dhe herë brazilianin Kristian Lima. Nga ana tjetër, gjasat janë që këtë herë të luhet me dy sulmues të deklaruar si Kouame dhe Bullari. Ky i fundit shënoi golin e parë me fanellën bardhezi në sfidën me Vllazninë.