Pas tri ditëve pushim, Partizani është kthyer dje në stërvitje, ku puna ka nisur me një seancë më së shumti të përqendruar në aspektin fizik, për të rritur ritmin e lojtarëve pas ditëve pa regjim.

Nën drejtimin e stafit teknik kanë qenë të pranishëm të gjithë lojtarët, përveç atyre të grumbulluar në kombëtare. Bëhet fjalë për Hadrojn dhe Koten, që janë respektivisht pjesë e Shqipërisë dhe përfaqësueses U-21.

Sakaq, edhe Preka, i grumbulluar për stërvitje nga trajneri Silvinjo, është kthyer në gjirin e ekipit të kuq. Bintsuka ishte në listën e Kongos, por mbeti në Tiranë, teksa sa i përket dëmtimeve, mjekët po punojnë me Ismailin dhe Mehmetin. Të tjerët gëzojnë gjendje optimale.

Ndeshja e radhës është ajo me Laçin në “Arenën e Demave”, e programuar më 23 nëntor. Të kuqtë po stërviten nën një atmosferë mjaft të ngrohtë, nisur nga ecuria pozitive në këtë start të kampionatit. “Demat” humbën sfidën e parë me Vllazninë e më pas nuk njohin më disfatë, çka ka ndihmuar edhe që të jenë të vetëm në krye dhe të vendosin fort kandidaturën për “kurorën” e Superiores.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb