Laçi tregohet i pamëshirshëm kur vjen puna tek mbijetesa. Kurbinasit kanë shpartalluar Vllazninë me rezultatin 3-0 duke marrë 3 pikët aq të nevojshme për luftën e mbijetesës.
Vendasit e zhbllokuan sfidën në fundin e pjesës së parë falë një penalltie të ekzekutuar saktë nga ana e kapiten Vucajt. Pa kaluar shumë nga fillimi i së dytës Qaqi dyfishon shifrat ndërsa Mensah në të 72-n minutë vulos gjithçka, 3-0.
Pas ndeshjes së 36-të në kampionat, Laçi renditet e 7-ta me 36 pikë, 1 më shumë se Tirana e vendit të 9-të që luan sfidën e saj kundër Skënderbeut në Korçë që gjithashtu i duhet me doemos fitorja.
Ndërsa Vllaznia me shumë mundësi është “përshëndetur” me Kupat e Europës pas disfatës së sotme. Shkodranët mbajnë vendin e 5-të me 39-të pikë, 4 më pak se Luftëtari.
Në takimin tjetër të orës 16:00 Kukësi ka mundur në transfertë Korabin me shifrat 1-3. Çuditërisht ishin vendasit që zhbllokuan shifrat 8 minuta pas fillimit të sfidës me anë të Kaloshit.
Për miqtë nga verilindja e Shqipërisë treguan se jo më kot pretendojnë për t’u shpallur kampion duke përmbysur shifrat me një “tripletë” të Pero Pejiç. Fillimisht kroati shënoi në minutën e 33-të dhe më pas në të 63-ën. Ndërsa në të 84-n vulosi shifrat përfundimatre.
Me këtë fitore, Kukësit i duhen 4 pikë në dy ndeshjet e fundit për të arritur objektivin madhor, titullin kampion. Ekipi i drejtuar nga Ernest Gjoka renditet i 1 në tabelën e klasifikimit me 72 pikë, 4 më shumë se Skënderbeu dhe 5-së më shumë se Partizani që luan në orën 19:00 kundër Flamurtarit në transfertë.
(e.k/BalkanWeb)