Laçi luajti përballë skuadrës së fortë izraelite, Hapoel Ber Sheva, por kjo nuk i bëri kurbinasit të demoralizohen, përkundrazi. Të besuarit e Sulejman Starovës kanë shënuar në minutën e tretë me Nvabuezen, afrimin e kësaj merkatoje verore për bardhezinjtë.


Izraelitët janë hedhur në sulm dhe e kanë vënë Laçin në vështirësi, por të zotët e shtëpisë janë të duruar dhe mund të kishin ndëshkuar sërish miqtë në minutën e 30-të, kur Redion Xhixha provon një kryevepër nga 60 metra, me topin që devijohet lehtësisht nga portieri izraelit dhe përfundon në shtyllë. Tashmë Laçi është 45 minuta larg një fitoreje të bujshme.


Në pjesën e dytë, janë miqtë më kërcënues që këmbëngulin gjatë dhe shpërblehen me golin e Levit në minutën e 78-të, që lëviz bukur në zonë dhe me një diagonale të saktë mbi kokën e Selmanit, e çon topin në rrjetë. Mbyllet 1-1 në Kurbin, por Laçi i ka të gjitha mundësitë të provojë një kualifikim të bujshëm në Izrael në ndeshjen e kthimit.


(Balkanweb)