TIRANË- “Ladi me tha hajde me mua marrim çfarë të gjejmë dhe i ndajmë bashkë. Unë vetëm e çova me makinë nuk kam asnjë faj. Nuk e dija se do qëllonte”.

Kështu ka deklaruar 25-vjeçari Ruzhdi Hodo, një prej autorëve të grabitjes së ndodhur tre ditë më parë në Kamëz ku mbeti i vrarë 52-vjeçari Agim Buci dhe u plagos gruaja e tij Merita.

Gazetarja Dorjana Bezat raporton për “BalkanWeb” se polumbarët vijojnë kërkimet në lumin e Tiranës për gjetjen e pistoletës së përdorur në krim.
Të dy të akuzuarit Vladimir Kurti dhe Ruzhdi Hodo kanë pranuar të dy krimin para policisë.

Sipas hetuesve, plani ishte ideuar nga Kurti i cili jeton pranë banesës se familjes Buci në rrugën “Besëlidhja” në Kamëz. Kurti e kishte piketuar këtë dyqan pasi kishte parë se në mbrëmje aty kishte pak lëvizje dhe pak ndriçim dhe zakonisht shërbente vetëm gruaja pasi bashkëshorti i saj punonte në një kompani interneti. Kurti kërkoi ndihmën e shokut të tij Ruzhfi Hodo i cili jeton në periferi të Kamzës.
Hodo kishte për detyrë të mbështeste në veprime Kurtin dhe të bënte transportin me mjetin e tij “Volkswagen”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb