SHBA


Pak kohë pasi ka fituar çmimin ‘Oscar’ me dramën muzikore “A Star is Born”, këngëtarja e njohur Lady Gaga mësohet se shumë shpejt do të jetë pjesë e një tjetër filmi.


Sipas tabloideve të huaja, krijuesja e hitit “Born This Way” – emri i vërtetë i së cilës është Stefani Germanotta – po përgatitet të bashkohet me Ridley Scott për projektin e tij të ri.


Scott, i cili drejtoi projektet e mëdha, përfshirë “Alien”, “Blade Runner” dhe “Gladiator”, ka vendosur të sjellë në ekranin e madh vrasjen e Maurizio Gucci-t, ish-kreut të shtëpisë së modës Gucci.

Skenari i filmit bazohet në librin “The House of Gucci: A Sensational Story of Murder, Madness, Glamour, and Greed” ( Shtëpia e Gucci-t: Një histori sensacionale e vrasjes, çmendurisë, magjepsjes dhe lakmisë nga Sara Gay Forden).

Maurizio Gucci, nipi i themeluesit të kompanisë Guccio Gucci, ishte kreu i shtëpisë italiane të modës para se të vritej në zyrën e tij në vitin 1995.

Gaga, e cila është italo-amerikane, do të luajë rolin e ish-gruas së Gucci-t, Patrizia Reggiani, e cila u shpall fajtore për urdhërimin e vdekjes së tij.

Në vitin 2015, ylli amerikan tregoi aftësinë e saj të aktrimit në sezonin e pestë të serialit të Ryan Murphy “American Horror Story: Hotel”. Viti 2019 ka qenë ndoshta viti më i suksesshëm i karrierës së Gagas.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: