Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian (BE) për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak, nesër do të vizitojë Beogradin, ku do të bisedojë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Lajçak, përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe çështjeve të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, do të takohet me Vuçiç në orën 10:00 dhe pas bisedës nuk është planifikuar asnjë fjalim në media.

Diplomati sllovak njoftoi mbrëmë vonë se do të vizitojë Beogradin, pa specifikuar datën, për të përgatitur takimin e radhës në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Javën e kaluar ai ishte në Prishtinë për të njëjtën arsye.

“Më pas do të shkoj në Serbi edhe në kuadër të përgatitjeve për takimin e radhës në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Lajçak në Facebook.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Lajçak tha të premten se ishte arritur një marrëveshje për një raund të ri të dialogut ndërmjet negociatorëve kryesorë të Beogradit dhe Prishtinës, Petar Petkoviç dhe Besnik Bislimi, por ai nuk deshi të tregonte se kur do të mbahej ai takim.

Lajçak tha gjithashtu se Serbia e ka tërhequr letrën e dërguar në Bruksel vitin e kaluar, në të cilën ka shprehur rezerva lidhur me Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit me Kosovën dhe aneksin e saj zbatues. Zyrtarët serbë nuk kanë bërë të ditur asgjë për këtë.

Në atë letër, të cilën ajo ia dërgoi Be-së në dhjetor, kryeministrja e atëhershme e Serbisë, Ana Brnabiç, deklaroi se Marrëveshja “konsiderohet e pranueshme vetëm në një kontekst që nuk i referohet njohjes de facto dhe de jure të Kosovës”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb