LEZHE

Rreth 5.2 mln euro llogari bankare dhe pasuri të paluajtshme të dy shtetasve, të dyshuara se janë përfituar nga veprimtari kriminale janë sekuestruar sot në Lezhë. Policia deri më tani nuk i ka bërë publik emrat e poseduesve të pasurive të sekuestruara.

Sekuestrot, siç bëhet me dije janë ekzekutuar në kuadër të operacionit “Forca e ligjit” dhe janë rezultat i punës hetimore të Policisë së Lezhës që ka referuar materialet procedurale mbi bazën e dyshimit të arsyeshëm, për përfitimin e tyre nga veprimtaria kriminale, me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë.

Prokuroria ka filluar procedimin penal për veprën “Pastrim i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale” në ngarkim të dy shtetasve, duke e finalizuar me sekuestro të vendosur nga Gjykata e Shkallës Parë Lezhë me vendim te datës 23 janar 2019.

Sekuestrot janë llogari bankare në vlerë totale rreth 5.2 milione Euro dhe 7 apartamente.

Po ashtu “BalkanWeb” mëson se më datë 22.01.2019 Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë ka regjistruar procedimin penal nr. 57 viti 2019 për veprën penale të “pastrimit të produkteve të veprës penale ose verprimtarisë kriminale”. Me kërkesën e prokurorit Erjon Shehaj, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhe më 23.01.2019 ka vendosur sekuestrimin e llogarive bankare me vlerë 5.269.551 euro, 7 apartamente në Lezhë si dhe disa apartamenteve në Tiranë në pronësi të shtetasve me inicialet Sh.P e dtl 28.08.1969 dhe shtetasit P.V i dtl 01.07.1936 të dy banues në Lezhë.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb