Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar 21 vite burg për biznesmenin Arbër Çekajn, administratori i ‘Arbi Garden’, i akuzuari për trafikimin e 613 kilogramëve kokaine që u gjet të fshehura në një kontejner me banane. Gazetarja Klodiana Lala tha për ‘BalkanWeb’ se dënimi do të ulet në 14 vite, për shkak të gjykimit të shkurtuar.


Ndërkohë, për Donaldo Lushajn, menaxher i kompanisë, organi i akuzës ka kërkuar 16 vite burg, ndërsa nga gjykimi i shkurtuar ai do i duhet të kryejë 10.8 vite. Sakaq, për Armando Pezakun, shoferin e kamionit, është kërkuar 8.8 vite burg.


Prokurori ka qenë i koncentruar gjatë seancës gjyqësore. Në një lidhje direkte për ‘News24’ gazetarja Lala, duke cituar prokurorin tha se pas një vit hetimesh ka rezultuar se Çekaj ka qenë garant për sasinë e drogës, ndërsa kishte si bashkëpunëtor menaxherin dhe shoferin.

Kujtojmë se dje në një intervistë ekskluzive për News24 i akuzuari për trafikimin e 613 kilogramëve kokainë kolumbiane (me vlerë 180 milionë euro) që u zbulua ne magazinat e kompanisë së tij Arbri Garden në Maminas, Çekaj, shënjestroi prokurorinë për Krime të Rënda. Ai u shpreh se policia dhe prokuroria urdhëruan ndërprerjen e operacionit, me qëllim për të fshehur trafikantët e vërtetë, që sikurse thotë as që guxon t’i prekë.


“Është totalisht e qëllimtë nga ana e policisë, prokurorisë dhe atij personi i cili dha urdhër që operacioni të ndërpritej në magazinat e kompanisë time. Nëse operacioni do të shkonte deri në fund, patjetër që do të ishte kapur grupi kriminal e jo unë. Me gjeni një vend normal të botës që arrestohet pronari i kompanisë që importon fruta, se në kontenierët që nuk janë fare të tijët, gjendet drogë. I vetmi vend është Shqipëria, edhe në Shqipëri i vetmi pronash frutash në burg jam unë. Pra prokuroria ka luftë personale ndaj meje e familjes time, e kjo vetëm për të mbrojtur grupin e vërtetë kriminal që ata e dinë se kush është, por askush nuk guxon ta prekë”.

Tashmë pritet që gjykata të japë verdiktin e saj final mbi këtë çështje që rezultoi në sekuestrimin e sasisë më të madhe të kapur ndonjëherë në vendin tonë.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb