KORÇË

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë dhe Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec kanë arrestuar pesë punonjës të doganës së Qafë-Thanës që akuzohen për veprën penale “Shpërdorim detyre” pasi favorizonin kontrabandë gomash makinash. Përveç punonjësve, në pranga kanë përfunduar edhe 4 persona të tjerë.

Sipas policisë është finalizuar me sukses një operacion i ndjekur me metoda speciale të hetimit, për goditjen e një linje të kontrabandimit të mallrave të ndaluara (goma të përdorura) që kryhej në Pikën e Kalimit Kufitar të Qafë-Thanës.

Në sajë të një pune të mirëorganizuar nga strukturat e lartpërmendura, u bë i mundur arrestimi në flagrancë i shtetasve:

– Stefan Hila, 50 vjeç, banues në Pogradec, me detyrë përgjegjës turni në Doganën e Qafë Thanës.
– Anesti Tushinka, 40 vjeç, banues në Pogradec, me detyrë doganier parkingu pranë Doganës në Qafë Thanë.

– Ilir Spahiu, 44 vjeç, banues në Pogradec, me detyrë doganier pranë Doganës në Qafë Thanë.
– Lefter Duraj, 64 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë përgjegjës turni i grupit të antikontrabandës, pranë Drejtorisë së Përgjthshme të Doganave.

– Mikel Goxharaj, 41 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë inspektor i grupit të antikontrabandës pranë Drejtorisë së Përgjthshme të Doganave, (të pestë për veprën penale “Shpërdorim detyre”, neni 248 i Kodit Penal).

– Kelti Ristani, 42 vjeç, banues në Pogradec, me detyrë agjent doganor i një kompanie me seli në degën doganore Qafë Thanë (nenet 186 e 171).

– Edmond Kodra, 61 vjeç, banues në fshatin Sovjan, Korçë, poseduesi i gomave (neni 171 i Kodit Penal),
– Stojmir Treneski, 42 vjeç, banues në Ohër, Maqedoni, shoferi i kamionit, (nenet 186 e 171 të Kodit Penal).

– Petraq Dimko, 54 vjeç, banues në fshatin Sovjan, Korçë, poseduesi i ambjentit ku magazinohej malli kontrabandë, (neni 179 i Kodit Penal).

Arrestimi i shtetasve të mësipërm, u krye pasi, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë bërë të mundur futjen kontrabandë të një kamioni me rreth 2100 goma të përdoruara, nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar Qafë-Thanë, të ngarkuara në mjetin tip kamion me drejtues shtetasin Stojmir Treneski, i cili u ndalua mbrëmjen e djeshme, nga shërbimet e policisë në aksin rrugor Pogradec-Maliq, pranë fshatit Sovjan, teksa po tentonte të shkarkonte mallin e kontrabanduar, në magazinën e Petraq Dimkos.

Në vijim të veprimeve proceduriale, u bë sekuestrimi i kamionit që transportonte mallin kontrabandë së bashku me mallin (rreth 2100 goma të përdorura).

Vijojnë hetimet për të dokumentuar veprimtarinë e personave të tjerë që mund të jenë implikuar në këtë linjë kontrabandimi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb