Të paktën 10 persona janë shoqëruar në polici në lidhje me atentatin që ndodhi sot në mbikalimin e Shkozetit në Durrës, ku mbeti i plagosur prokurori Arjan Ndoj si dhe u plagos shoferi dhe miku i tij, Andi Maloku dhe Aleksandër Laho (Pëllumb Muharremi). Lajmi është bërë i ditur për ‘BalkanWeb’ nga gazetarja Dorjana Bezat.

Mësohet se aktualisht në policinë e Durrësit po merren në pyetje këta persona, që dyshohet se mund të kenë dijeni për ngjarjen, por asnjë prej tyre nuk është shoqëruar si autor i krimit.

Ngjarja që tronditi vendin ndodhi pasditen e sotme teksa prokurori, një emër i lakuar përgjatë këtyre ditëve nga politika, përfshi këtu kryeministrin Edi Rama, po udhëtonte drejt Tiranës bashkë me shoferin dhe mikun e tij. Por një automjet ka hapur zjarr ndaj tyre, duke i plagosur të tre. Mbrëmjen e sotme u gjet në afërsi të Ishmit një automjet i braktisur, që mendohet se është e autorëve. Brenda tij u gjetën dy kallashnikovë, që mendohet se janë përdorur për atentatin, ndërkohë që targa e mjetit ishte vjedhur në Tiranë.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb