TIRANE- Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda ka vendosur të shfuqizojë masën “arrest shtëpie” të Gjykatës së Krimeve të Rënda ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Sipas avokatit të tij Maks Haxhia, Saimir Tahiri është pa masë sigurie, pra rrjedhimisht i lirë.

I pyetur nga gazetarët se si ndjehej që arriti të korrte një fitore të dytë nga Apeli i Krimeve të Rënda, pasi kujtojmë që ishte pikërisht kjo Gjykatë që i ktheu Tahirit pasaportën e i hoqi masën e ndalimit për të udhëtuar jashtë vendit ish-ministrin, avokati u ndal të fliste për ligjin dhe provat. Sipas tij, kjo nuk ishte fitorja e tij personale, por një vendim i bazuar në ligj.

Prokurori Artan Bajrami ka kërkuar që ai të shkojë drejt masës “arrest me burg” duke i mëshuar fort letër porosive të ardhura nga Greqia e Italia. Nga ana e tij Maks Haxhiaj ka thënë se nuk ka asnjë provë dhe se Tahiri ka vepruar konform ligjit. “Nuk ka kushte dhe kritere që Tahiri të mbetet në burg”,- ka thënë Haxhia.

Për afro 30 minuta, siç raporton gazetarja Klodjana Lala për “BalkanWeb” treshja gjykuese u këshillua për të dalë në vendimin final, që hetimi ndaj ish-ministrit të Brendshëm të vijojë në gjendje të lirë.

Pritet që Saimir Tahiri të dalë pak më vonë nga ambientet e gjykatës e të shoqërohet nga policia për në shtëpi, aty ku do të qendrojë deri sa të ekzekutohet vendimi i gjykatës.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: