Kryebashkiaku i Shkodrës Benet Beci është marrë zyrtarisht nën hetim nga SPAK. Ai u paraqit të premten në Prokurorinë e Posaçme ku dha deklarime për rreth 40 minuta para prokurorëve. Teksa dilte nga ambientet e SPAK, Beci shmangu komentet për gazetarët. Pyetjeve të tyre se për çfarë ishte paraqitur në organin e akuzës apo nëse ishin të vërteta zërat se kishte dhënë dorëheqje te kryeministri Edi Rama, Beci nuk iu përgjigj.

Sipas raportimit të gazetares Klodiana Lala, Benet Beci dyshohet për shkelje të kryera gjatë detyrave të mëparshme dhe jo si kryebashkiak i Shkodrës, detyrë të cilën e ushtron prej majit 2023.

Benet Beci ka mbajtur dhe detyrën e drejtorit të Fondit të Zhvillimit të Rajoneve. Për disa vite ai ka qenë edhe drejtor i KESH-it, detyrë nga e cila u largua në 2021, kur kandidoi për deputet të PS në Qarkun e Shkodrës.

Mësohet gjithashtu se avokati i Becit është njohur me të dhënat e SPAK në përfundim të hetimeve, por nuk dihet ende nëse hetimet ndaj tij janë për detyrën si drejtor i FZHR apo i KESH-it.

Benet Beci u zgjodh kryetar i Bashkisë së Shkodrës në zgjedhjet e 14 majit 2023 përballë Bardh Spahisë së PD.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb