Presidenti amerikan Joe Biden i ka dhënë dritën jeshile Ukrainës që të përdorë raketa me rreze të gjatë veprimi të furnizuara nga SHBA për të goditur Rusinë, sipas raportimeve të mediave amerikane. Nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga Shtëpia e Bardhë apo Pentagoni për këtë lëvizje që do të ishte një ndryshim i madh i politikës amerikane.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka kërkuar prej muajsh që këto kufizime për raketat me rreze të gjatë veprimi të hiqen, duke lejuar Ukrainën të synojë vendndodhje brenda Rusisë.

Kujtojmë se Rusia ndërmori një nga sulmet më të mëdha raketore që nga fillimi i luftës, duke synuar infrastrukturën energjetike të Ukrainës brenda natës. Të paktën 10 persona u vranë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i përshkroi sulmet ajrore si një “goditje masive të kombinuar në të gjitha rajonet” që synon të dëmtojë infrastrukturën energjetike të vendit. Rusia tha se kishte në shënjestër “infrastrukturën thelbësore të energjisë që mbështet kompleksin ushtarako-industrial ukrainas”.

Vendet fqinje Rumania dhe Moldavia akuzuan Rusinë për përpjekje të qëllimshme për të vendosur kushte ngrirjeje në Ukrainë gjatë dimrit, me një deputet ukrainas që tha për BBC se Rusia kreu sulme të ngjashme në prag të dimrit të vitit të kaluar./Reuters/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: