Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri është shpallur fajtor për shpërdorim detyre por i pafajshëm për trafik droge. Ky ka qenë vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda mbrëmjen e sotme e cila e ka dënuar me 5 vite burg por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi ulet me 1/3 dhe zbret në 3 vite e 4 muaj burg e sipas kodit penal konvertohet në shërbim prove dhe me kusht që gjatë kësaj kohe të mos kryejë tjetër vepër penale dhe të mbajë kontakte me shërbimin e provës.

Por vendimi pritet të apelohet nga mbrojtja dhe ish-ministri do të qëndrojë në liri për sa kohë gjykimi ndaj tij është bërë në liri.

Prokuroria ka kërkoi dënimin e Saimir Tahirit me 12 vite burg, duke e akuzuar për tre vepra të rënda penale “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”, në kuadër të dosjes ‘Habilaj’.

Ish-ministri i Brendshëm u vu nën hetim nëntorin e vitit 2017, nën dyshimet se kishte lidhje me grupin e vëllezërve Habilaj, kushërinj të tij, të cilët ishin pjesë e një organizate italo-shqiptare e cila trafikonte marijuanë nga Shqipëria drejt Italisë. Hetimet nisën pasi autoritetet italiane goditën këtë organizatë në Catania, ndërsa në përgjimet e kryera, emri i tij përmendej disa herë në bisedat mes trafikantëve.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb