TIRANE- Teksa ende nuk u është dhënë zgjidhje shumë pikëpyetjeve, siç është ajo lidhur me fatin e zgjedhjeve të 18 qershorit pa pjesëmarrjen e opozitës, apo dhe koalicioni PS-LSI, kryeministri Edi Rama ka zhvilluar mbrëmjen e sotme një takim kokë më kokë me kryeparlamentarin Ilir Meta.

BalkanWeb’ mëson se takimi u zhvillua tek Kryesia e Kuvendit dhe ka zgjatur rreth 60 minuta. Mësohet se në fokus të diskutimit ka qenë nisja e procedurave për zgjedhjen e presidentit të ri, për të cilin sot pati zhvillime, duke nisur nga dy letrat që iu dërguan Ilir Metës, nga Zyra Juridike e Kuvendit dhe nga kreu i grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi.

Takimi mes dy aleatëve vjen një ditë pas miratimit në Kuvend të 3 emrave të maxhorancës për komisionin e vettingut dhe një ditë para seancës plenare të së enjtes.

Ndërkohë, kreu i LSI-së propozoi pak ditë më parë që të krijohej qeveria e besimit dhe se zgjedhjet pa opozitën nuk do kishin kuptim. Pavarësisht se kryeministri Edi Rama i bëri thirrje për dialog kreut të opozitës, Lulzim Bashës, që të ulën në një tryezë për të arritur konsensusin, deri më tani asgjë nuk ka ndodhur mes palëve.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: