TIRANE– Partia Demokratike ka mbledhur Kryesinë pasditen e sotme, por mbledhja e nisur prej orës 18:00, është shoqëruar me debate. Prioritet i mbledhjes është reformimi dhe modernizimi i Partisë Demokratike, si dhe do të bëhet konsultimi për ndryshimet statutore dhe forcimi i rolit të anëtarësisë.

Basha në fillim të mbledhjes ka folur për analizën e humbjes dhe nisjen e procesit për ringritjen e partisë. Gjatë mbledhjes kanë mbajtur fjalë edhe deputetë të PD-së.

Por gjatë kohës që kryetari i Komisionit për Zgjedhjet në PD, Jemin Gjana (i caktuar në këtë detyrë nga Lulzim Basha) po fliste, ka ndërhyrë disa herë anëtarja e Këshillit Kombëtar të PD, Valbona Mezini, duke i ndërprerë fjalën. Sekretarja për Organizatat Partnere në PD, teksa ndërhynte, akuzonte Jemin Gjanën për mënyrën e organizimit të zgjedhjeve në parti.

Në një moment, Gjana ka humbur kontrollin dhe është përplasur verbalisht me Mezinin.

Burime për “BalkanWeb” thonë se është dashur ndërhyrja e deputetëve të pranishëm në mbledhje për të shmangur përplasjen fizike.

Gent Strazimiri dhe truproja e Lulzim Bashës mësohet se kanë qenë të parët që kanë ndërhyrë për të shmangur përplasjen fizike.

Mezini njihet si kritike e Bashës dhe është pjesë e firmëtarëve që kanë kërkuar shkarkimin e tij si kryetar i PD. Ndërsa Gjana ka mbajtur një pozicionim në përkrahje të Bashës, dhe ishte kryetari i komisionit të zgjedhjeve në PD. Ai është akuzuar nga kritikët e lidershipit edhe si përgjegjësi kryesor i manipulimit të rezultatit të 22 Korrikut.
MBLEDHJA E KRYESISE
Në muajin korrik, kryetari Basha kërkoi sistemin e primareve për zgjedhjet e ardhshme. Ditën e djeshme, Basha thirri një takim me aleatët, ndërsa burime brenda PD-së bëjnë me dije se ai ka nisur edhe konsultimet për reformën zgjedhore.

“Konsultimet do të vazhdojnë me aleatët parlamentarë dhe jo parlamentarë. Teksa konsultime pritet të ketë edhe me çdo forcë politike dhe faktor shoqërorë pro zgjedhjeve të lira”,- sqarohet në njoftimin e PD.

Reforma zgjedhore, sipas PD-së duhet të realizohet për të ndalur manipulimin dhe shitblerjen e votës. Ajo duhet të përfshijë kërkesat e artikuluara edhe më herët nga Basha, votimin e numërimin elektronik dhe votën e emigrantëve.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb