TIRANË

Ka reaguar ambasada amerikane në Tiranë në lidhje me rastin e ish-ministrit, Saimir Tahiri. Ambasada thekson se “vendimi i djeshëm kundër ish Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri demonstron pavarësinë në rritje të gjyqësorit dhe fillimin e fundit të pandëshkueshmërisë për personat me lidhje të forta”.


Sipas ambasadës, dënimi i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri nga Gjykata e Krimeve të Rënda është shkurajues në raport me akuzat e ngritura, ndërsa shton se ata që shpërdorojnë besimin e publikut dhe shkelin ligjin duhet të përballen  me patjetër me pasoja domethënëse.

Gjithashtu ambasada thekson se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbeten partnere të Shqipërisë, në mbështetje të përparimit të mëtejshëm të reformës në drejtësi, transparencës dhe qeverisjes së mirë. Ish-ministri i Brendshëm u dënua me 3 vite shërbim prove  dhe Gjykata hodhi kështu poshtë akuzat e ngritura nga Prokuroria.


Njoftimi i plotë:

“ Vendimi i djeshëm kundër ish Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri demonstron pavarësinë në rritje të gjyqësorit dhe fillimin e fundit të pandëshkueshmërisë për personat me lidhje të forta. Ndërkohë që dënimi i zotit Tahiri për akuzën e shpërdorimit të detyrës sinjalizon një hap të rëndësishëm përpara, dënimi është shkurajues, duke pasur parasysh se sa të rënda ishin akuzat. Ata që shpërdorojnë besimin publik dhe shkelin ligjin duhet të përballen me pasoja domethënëse. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbeten partnerë të Shqipërisë, në mbështetje të përparimit të mëtejshëm të reformës në drejtësi, transparencës dhe qeverisjes së mirë”


(n.m/BalkanWeb)

Etiketa: