Prokurori i cili kërkoi dënim me burg përjetë për Dritan Djatin, Ardian Nezha ka dhënë sot dorëheqjen e parevokueshme. Lajmi bëhet i ditur nga News 24, që mëson se Nezha e ka paraqitur sot dorëheqjen pranë KLP-së. Për News 24 ai mësohet të ketë sqaruar edhe arsyet e dorëheqjes. Nezha është shprehur se ndaj tij ka pasur mungesë vlerësimi.

Nezha ka kërkuar nga KLP t’i pranojë dorëheqjen duke shpallur përfundimin e statusit të magjistratit ndërsa kërkesa e tij pritet të shyqrtohet më 1 Prill.

Në vitin 2015, Ardian Nezha, nga prokuror pranë Prokurorisë për Krime të Rënda, transferohet prokuror pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pukë. Nezha ka pasur në hetim dosje të rëndësishme, një prej të cilave është ajo e “bandës së tritolit”. Ndërkohë, Prokuroria e Përgjithshme e ka argumenton se lëvizja është e detyruar nga mungesa e kapaciteteve njerëzore në ato Prokurori, ku ka nevojë më shumë për hetim të shpejtë dhe efikasitet.

Me emërimin e Kryeprokurores së Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku, më 9 janar 2018, ai u emërua në krye të Prokurorisë së Elbasanit në vend të Dritan Ginës. Gjatë drejtimit të Prokurorisë së Elbasanit, prokurori Nezha ka kryer disa operacione, siç janë rasti i arrestimit të zyrtarëve të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, arrestimi i grupit të tritolit e të tjerë. Ndër vite, Nezha ka pasur në hetim dosje të rëndësishme, ku një prej të cilave është ajo e “bandës së tritolit”. Por vetëm pak kohë pasi kishte marrë këtë detyrë, Nezha dha dorëheqjen.

Arsyet e dorëheqjes mbetën mister, dhe versionet ishin nga më të ndryshmet. Në media u raportua se Nezha e mori vendimin për shkaqe shëndetësore. Një tjetër version që u lakua ishte se vendimi për dorëheqjen ishte një lëvizje taktike, për të ardhur drejt Tiranës, për një post më të rëndësishëm. Dhe në fakt, versioni i dytë thuajse ka baza për të qenë më i besueshëm.

Besueshmërinë e konfirmoi vetë kryeprokurorja Arta Marku, me emërimin e fundit të Nezhës. Një javë pasi dha dorëheqjen dhe konkretisht në fillim të muajit prill 2018, ish-kreu i Prokurorisë së Elbasanit, Ardian Nezha, u komandua prokuror në Tiranë, në sektorin e veprave penale kundër jetës.

Por së fundmi, prej pak javësh ai ishte rikthyer prokuror në Pukë ndërsa pas këtij veprimi ka kërkuar të largohet nga sistemi ç’ka pritet të sjellë edhe ndërprerjen e vettingut për të.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb