Bosi i kokainës Dritan Rexhepi, që u arrestua të Stamboll të Turqisë, në nëntor 2023, do të ekstradohet gjatë ditës së sotme nga shteti turk. Ai pritet të vijë në Rinas rreth orës 13:00.

Rexhepi, i cilësuar si kreu i kartelit të drogës me emrin ‘Kompania Bello’, kërkohej nga Italia dhe Shqipëria nën akuzën se transportonte drogë nga Amerika e Jugut në Evropë. Siç raportuan mediat turke në atë kohë, Rexhepi kishte hyrë në Turqi me pasaportë false kolumbiane, ndërsa u kap më 8 nëntor 2023 gjatë një operacioni në Stamboll.

Në vendin tonë, ai akuzohet për tre vepra kriminale: rrëmbimi dhe zhdukja e Jan Prengës, vrasje në Krujë vite më parë, falsifikim dokumentesh në Fier.

Njoftimi:

Si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Interpol Tiranës dhe homologëve në Turqi, pritet që ditën e sotme, të ekstradohet në Shqipëri, shtetasi i shumëkërkuar Dritan Rexhepi alias Gramos Rexhepi.

Ora e mbërritjes së këtij shtetasi do t’ju njoftohet në vijim, ndërsa informacioni i detajuar për të, bashkëlidhur me pamje filmike, do t’ju vihet në dispozicion pas mbërritjes së tij në Rinas.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb