TIRANE- Gjykata e Lartë kroate konfirmon ekstradimin e tifozit të Kombëtares shqiptare që ngriti dronin me flamur etnik mbi stadiumin e Beogradit, Ballist Morina drejt Serbisë.


Kjo gjykatë ka vendosur të rrëzojë kështu edhe kërkesën e tifozit shqiptar për mosekstradim. Ballist Morina refuzon të shkojë në burgjet serbe, duke pretenduar se do të diskriminohet për shkak të përkatësisë etnike dhe statusit social, por fati i tij tashmë mbetet në dorën e ministrit të Drejtësisë kroate.


Sipas Gjykatës së Lartë, që vendosi të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, vendimin përfundimtar për ekstradimin apo jo të tifozit shqiptar e merr ministri kroat i Drejtësisë, Drazhen Boshkanjoviç.


Ministrit kroat i ka mbërritur një muaj më parë edhe një letër nga homologu shqiptar. BalkanWeb disponon letrën që Bardhi ia dërgoi Zagrebit zyrtar pasditen e 9 gushtit, në kuadër të çështjen e Morinës, ku vihet theksi te përdorimi politik i çështjes. “Ne kemi bindje, mbi bazën e provave sa vijon, se jeta e Ismail Morinës rrezikohet nëse ekstradohet në Serbi. Kërcënimet ndaj Ismail Morinës janë publikuar në kuadrin e sensacionit, edhe nga mediat, qoftë media e shkruar ashtu dhe elektronike”,- theksohet në këtë letër.

Morina kërkohet për aktin e kryer me 14 tetor 2014, gjate ndeshjes Serbi-Shqipëri, ku ngritja e dronit, është cilësuar nga autoritetet e drejtësisë serbe, si vepër penale, qe nxit urrejtje mes kombeve e feve.

(m.a/BalkanWeb)