TIRANE- Gjykata e Lartë shpall moskompetencën për çështjen penale ndaj Alfred Pezës. “BalkanWeb” mëson se ky vendim erdhi për shkak se Peza nuk është më deputet dhe s’ka mandat, ndaj nuk është subjekt i posaçëm dhe do të gjykohet nga Gjykata e Krimeve të Rënda, ku çështja do të nisë nga e para.

Ish- deputeti Peza hetohet në bazë të ligjit antimafia, për të paktën tre vepra penale, “Fshehje e të ardhurave”, “Pastrimi të produkteve të veprës penale” dhe “Refuzimi për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive”.

HETIMI I PROKURORISE
Gjykata për Krime të Rënda më 18 prill vendosi sekuestro preventive ndaj aksioneve të një banke të nivelit të dytë në vend, të bashkëshortes së deputetit Peza. Vendimi erdhi si pasojë e hetimeve që nisën ndaj deputetit socialist dhe bashkëshortes së tij Mirela Ndini, pas publikimit në media se në mars të vitit 2015 zonja Ndini kishte blerës 1 përqind të aksioneve të bankes me një vlerë prej 113 milion lekë. Sipas prokurorisë, “në bazë të veprimeve të deritanishme hetimore rezulton se, pavarësisht se aksionet në Bankë janë blerë nga shtetasja Mirela Ndini, vlera financiare është realizuar në bazë të kontributit financiar të të dy bashkëshortëve”.

Publikisht deputeti Peza ka sqaruar më herët se pasuria prej 113 milion lekësh me të cilat bleu aksionet në një bankë private, është vënë nga kursimet. Zoti Peza, u zgjodh deputet, si përfaqësues i Partisë socialiste në zgjedhjet e 2013, pas një karriere të gjatë në median e shkruar dhe televizive, ku ka mbajtur për shumë vite, pozicione drejtuese, për të cilat siç ka deklaruar ai vetë, është shpërblyer me paga mujore shumë të larta, prej disa milion lekësh.

Po sipas prokurorisë, “nga analiza financiare, e kryer gjatë hetimit, është konstatuar se të ardhurat neto familjare të bashkëshortëve Peza-Ndini ndër vite, duke zbritur shpenzimet, është rreth 51 milionë lekë të reja. Ndërsa vlera e aseteve në pronësi të tyre (pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, përfshirë llogaritë bankare) është në vlerën e rreth 135 milionë lekëve të reja. Pra, rezulton se bashkëshortët Peza-Ndini kanë një pasuri prej rreth 84 milionë lekë të reja, të cilën nuk e justifikojnë me burime financiare të njohura”, saktëson prokuroria.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: