TIRANË- Dikur zinin vendet në sallën e Parlamentit si të besuarit e popullit, por këtë të mërkurë Arben Cuko e Arben Ndoka, u ulën në sallën e gjyqit, jo thjeshtë si persona në konflikt me ligjin, por të dyshuar si pjesë e një grupi të struktura kriminal. U gjendën përkrah njëri-tjetrit jo për shkak të miqësisë si ish-kolegë që i bashkonte e njëjta bindje politike, por të detyruar nga rrethanat.

Ish-deputeti i Lushnjës si i dyshuar për korrupsion për transferimin e një të dënuari kur mbante detyrën e drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve. Ndërsa lezhjani Ndoka i dyshuar se falsifikoi dokumente e nëpërmjet tyre, përvetësoi sipërfaqe të mëdha toke në Lezhë e Kurbin. Pavarësisht akuzave që rëndojnë mbi to, ish ligjvënësit socialistë kanë një të përbashkët; Ranë në rrjetën e përgjimeve kur prokuroria për Krime të Rënda, gjurmonte prej dy vitesh shijakasit e fisit ‘Avdyli’, të cilët dyshohen si krerët e një organizatore kriminale që trafikonte kokaine, heroinë dhe hashash.

Përpara gjykatës për Krime të Rënda, të dy këmbëngulën që çështja të veçohej nga ‘Avdylët’, duke argumentuar se nuk i lidh asgjë me ta. Ndoka shkoi edhe më tej duke kërkuar që dosja e tij të mos shqyrtohej nga Krimet e Rënda me argumentin se nuk është kompetente. Porse duhet ti përcillej prokurorisë së Lezhës, qyteti ku lindi dhe u rrit. Kërkesat e tyre u rrëzuan nga gjykatësi Bib Ndreca dhe më pas vijoi procesi, që u zhvillua me dyer të mbyllura, por sigurisht që mes debateve të ashpra nuk u la jashtë vëmendjes edhe media, e cila u akuzua se nxori detaje nga dosja hetimore.

I Burgosuri

Polici i arrestuar Ardit Gjyriqi bëri debat të ashpër me prokurorët, ju kërkoi llogari përse ishte arrestuar. Shkoi edhe më tej, kur me ironi iu drejtua përfaqësuesve të institucionit të akuzës me pyetjen: A nuk keni turp që me keni arrestuar? Në vijim, seanca, u ndërpre edhe dy herë të tjera: herën e parë kur Vlash Gazulli, 74 vjeç, i implikuar në grupin kriminal të tjetërsimit të pronave, humbi ndjenjat në kafazin e xhamtë e herën e dytë kur Mimoza Ndoka, motra e ish deputetit Arben Ndoka, u lejua nga gjykata të linte sallën e gjyqit për pak minuta. Ushqeu foshnjën me gji.

Më pas, të gjithë të dyshuarit, hodhën poshtë akuzat dhe kërkuan lirinë. Nuk munguan as akuzat politike. Genc Zeneli shenjëstroi prokurorët. ‘Nuk jam arrestuar për shkak të bindjes tuaj si prokurorë, por ju morët urdhra nga Edi Rama’, u shpreh ai. Për këtë te dyshuar gjatë seancës u zbulua edhe një çudi. Ai rezulton sipas një kontrate fiktive shit-blerje prone të jetë i martuar me shtetasen Lule Zeneli, ish punonjëse hipoteke gjithashtu e arrestuar në kuadër të organizatës kriminale, por në të vërtetë ata nuk janë bashkëshortë. Procesi zgjati të paktën shtatë orë.

Kundër prokurorisë nuk dolën vetëm ish deputetët, por edhe pjesëtarët e fisit ‘Avdyli’, e të dyshuarit e tjerë. Në fund, gjykatësi Bib Ndreca u tërhoq për vendim. Në dhomën e këshillimit, ai vonoi të paktën 3 orë të tjera. Gjykatësi Bib Ndreca nga 34 të dyshuarit ai vendosi të lirojë Mimoza Ndokën, për të cilën prokuroria u tërhoq duke kërkuar masën e detyrimit per paraqitje gjithashtu u lirua edhe e dyshuara Marjeta Perskura. Në ‘arrest shtëpie’ u dërgua i moshuari Vlash Gazulli dhe të dyshuarit Vasil Nika dhe Luigj Paloka, për të cilët gjithashtu ishte institucioni i akuzës që kërkoi zbutjen e masave. Gjykatësi vendosi të zbusë masën e sigurisë nga ‘arrest me burg’ në atë të ‘arrestit në shtëpi’ për të dyshuarit Bledar Koci, Lule Zenelin, Kol Lleshin, Zef Ndoka dhe Gent Zeneli. Të tjerët, mes tyre edhe ish deputetët Ndoka dhe Çuko me pranga në duar u shoqëruan drejt qelive.

EMRAT QE U LANE NE BURG
1.Hajri Seferi
2.Jasin Kala (alias Jasin Avdyli)
3.Shkelqim Avdyli
4.Astrit Avdyli ( alias Sulejmani)
5.Saimir Gjepali
6.Altin Avdyli
7.Jasin Avdyli
8.Fatos Llaftiu
9.Denis Llaftiu
10.Esat Mehmeti
11.Saimir Sulejmani
12.Elis Guri
13.Ilirjan Prifti
14.Petro Kuci ( alias Abedin Kuci )
15.Ardit Gjyriqi
16.Elton Shehaj
17.Armand Spiro
18.Arben Cuko
19.Zef Lazri
20.Artur Balla
21.Arben Ndoka
22.Gjevi Ndoka ( alias Xhevair)
23.Bledi Ndokaj
24.Paulin Simoni
25.Zef Lazri

NE “ARREST SHTEPIE”
1.Bledar Koci (arrest shtëpie)
2.Lule Zeneli (arrest shtëpie)
3.Luigj Paloka (arrest shtëpie)
4.Kol Lleshi (arrest shtëpie)
5.Vlash Gazulli (arrest shtëpie)
6.Zef Ndoka (arrest shtëpie)
7.Vasil Nika (arrest shtëpie)
8.Genc Zeneli (arrest shtëpie)

DETYRIM PARAQITJE
1.Mimoza Ndoka (detyrim paraqitje)
2.Marjeta Perskura (detyrim paraqitje)
(m.k/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb