FIER

Pa kaluar as 24 orë nga kapja e gomones me rreth 1 ton drogë në Vjosë, policia ka vënë në pranga autorët. Ka qenë një bashkëpunim i ngushtë mes autoriteteve policore duke nisur që nga Guardia Di Finanza e Italisë me Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe policive të Fierit, Vlorës, Lezhës e Elbasanit.

Sipas burimeve zyrtare, falë punës hetimore intensive e të mirëorganizuar nga një grup i posaçëm hetimor i Drejtorisë Hetimore Qendrore në Policinë e Shtetit, Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë për Krime të Rënda dhe me Drejtoritë Vendore të Policisë Vlorë, Lezhë e Elbasan, u bë e mundur zbardhja e tentativës për trafik ndërkombëtar të një sasie të konsiderueshme lënde narkotike.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Si rezultat i hetimeve janë arrestuar në flagrancë shtetasit me iniciale A. A., 39 vjeç dhe E. Xh., 33 vjeç.

Nga tërësia e hetimeve të kryera nga grupi hetimor dyshohet se këta shtetas janë poseduesit e lëndës narkotike që do trafikohej më datën 22 janar, rast i parandaluar dhe goditur gjatë operacionit të koduar “Vjosa”, të zhvilluar nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me GdF-në. Ndërkohë vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të këtij aktiviteti kriminal.

Gomonia që u kap në zonën bregdetare mes Fierit e Vlorës, pranë fshatit Bishan nuk kishte asnjë të dhënë, apo mbishkrim. Ajo është transportuar në Triport, Vlorë. Gazetari Enrik Mehmet tha se mjeti ujor nuk ka regjistrim në Shqipëri, çka do të thotë se është përgatitur për të transportuar lëndën narkotike. Me dy motorë të fuqishëm, gomonia mund të arrinte brigjet italiane brenda një kohe të shkurtër. Që në fillim policia dyshonte se ishin dy persona me gomonen që u larguan në drejtim të pyllit në fshatin Bishan.

Trafikantët kishin zgjedhur edhe të martën si ditë me vranësira dhe me det të trazuar pasi është më e lehtë për t’i shpëtuar radarëve. Gomonia ishte e pajisur dhe me një mbulesë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb