TIRANË

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme rreth orës 15:00 në Rinas. Sipas informacioneve nga vendi i ngjarjes tre persona me një furgon të bardhë dhe të armatosur me kallashnikovë kanë hyrë nga dera e shërbimit zjarrfikës në pistë ku sapo ishin ngarkuar paratë e disa kompanive sigurimesh në një avion.

Nën kërcënimin e armëve ata kanë marrë paratë dhe janë larguar menjëherë nga aeroporti por në ikje janë shkëmbyer me forcat e policisë duke i sulmuar me granata e kallashnikov. Policia është përgjigjur me zjarr dhe një prej grabitësve ka mbetur i vrarë.

Dyshohet se autorët kanë qenë të veshur me rroba ushtarake dhe kanë grabitur një shumë rreth 10 milionë euro por kjo jo e konfirmuar. .

Forca të shumta policie kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për zbardhjen e rrethanave. Po kështu është bllokuar rruga dhe patrulla të shumta janë vendosur në pika kyçe. Dyshohet se autorët kanë qenë me një mjet tip furgon dhe janë larguar drejt Fushë Krujës.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb