TIRANË- Lëvizja Socialiste për Integrim do të propozojë kreun e saj, Ilir Metën për President të Republikës. Lajmi konfirmohet për “BalkanWeb” nga burime zyrtare të LSI, të cilat pohojnë gjithashtu se janë mbledhur firmat për të propozuar kreun e Kuvendit si kandidat për President. Sipas kushtetutës, kandidati për president duhet të paraqesë një listë me 20 firma deputetësh.

Vendimi erdhi menjëherë pas mbledhjes së grupit parlamentar, i cili u mblodh me urgjencë rreth orës 17:00 për rreth 90 minuta për të vendosur për çështjen e Presidentit.

Po sot, kreu i grupit parlamentar të PS-së Gramoz Ruçi i bëri thirrje Ilir Metës dhe LSI-së që të vendosë për çështjen e Presidentit dhe të mos priste më opozitën. Madje Ruçi tha se Meta ka qenë më shumë në anën e opozitës. Ai paralajmëroi se PS i ka votat për zgjedhjen e Presidentit edhe pa LSI-në.

Nesër në orën 17.00, parlamenti mblidhet në seancë për të votuar në raundin e katërt Presidentin e ri të vendit, pas djegies së 3 raundeve të para pa asnjë kandidat. Në raundin e katërt dhe të pestë presidenti mund të zgjidhet me shumicë të thjeshtë, pra me 71 vota.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb