FIER

Arrestohet punonjësi i Bashkisë Mallakastër, që goditi punonjësin e policisë të FNSH, Aranit Karemani me gur në kokë gjatë protestës së djeshme të zhvilluar në Fier. Policia thotë se ka arrestuar 56 vjeçarin Pëllumb Isufaj nga Drenova me detyrë inspektor mjedisi në Bashkinë e Mallakastrës.

NJOFTIMI I POLICISE
Në vijim të veprimeve hetimore dhe pas analizimit të pamjeve filmike dhe provave të tjera të mbledhura, u bë identifikimi i personit që goditi me gur në kokë punonjësin e policisë.

Si rezultat, rreth orës 13:10 u kap dhe u arrestua shtetasi P.I, 56 vjeç, banues në Ballsh (me detyrë inspektor mjedisi në Bashkinë Mallakastër).

Në vijim të veprimeve të kryera, policia e Fierit ka proceduar penalisht në gjendje të lirë edhe 10 shtetas, si edhe janë shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e 2 shtetasve të tjerë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprat penale “Kundërshtim me dhunë i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”.

REAGIMI I KRYEBASHKIAKUT
Pas arrestimit të 56 vjeçarit Isufaj, ka reaguar kreu i Bashkisë Agron Kapllanaj. “Inspektori i arrestuar nga policia nuk ka qenë në protestë” ndërsa përsa i përket veprimit për të cilin akuzohet, kryebashkiaku thotë se inspektori karakterizohet nga vlerat e një njeriu dhe intelektuali të qetë dhe të sjellshëm.

“Kjo nuk besohet”, ka thënë kryebashkiaku Kapllanaj në një lidhje telefonike. Ai ka shtuar se edhe nëse do ta kishin qëlluar 10 herë inspektorin Isufaj ai në herën e 10 do të kishte bërë vetëm pyetje personit se përse e qëllon duke nënkuptuar qetësinë dhe urtësinë e tij.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: