Një 45-vjeçar është gjetur i pajetë në Njësinë Administrative Xibër të Klosit. Gazetari Enver Doçi raporton për “BalkanWeb” se viktima është Agim Meta, trupi i pajetë i të cilit është gjetur nga banorët i mbulur me dhe. Ai ishte shpallur i zhdukur nga familjarët katër ditë më parë.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Shkallë, ku po punohet për hapjen e trasesë së rrugës së Arbrit drejt tunelit të Murrizes.

Mësohet se Agim Meta është shfaqur për herë të fundit mbrëmjen e të martës, në një nga dyqanet e fshatit, 500 metra larg banesës.

Banorë të zonës thanë se e kanë parë atë rrugës për në shtëpi, teksa mbante me vete edhe një bombul me gaz. Familjarët kanë nisur kërkimet që atë mbrëmje, por pa arritur ta gjejnë.

Vetëm pas denoncimit në polici ka nisur kërkimi në kantierin e punimeve të rrugës. Mësohet se firma punonte me 3 turne dhe dyshohet që mjetet e firmës e kanë shtypur pa e parë dhe e kanë mbuluar me dhè.

Pas kërkimeve të ditës së djeshme dhe të sotme, mësohet se është gjetur trupi i pajetë i 45-vjeçarit Agim Meta. Prokuroria e Matit dhe grupi hetimor janë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: