Policia e Tiranës në bashkëpunim me atë të Gjirokastrës ka arrestuar një person në Yrshek, pasi dyshohet se ka marrë pjesë në një vjedhje me armë katër vite më parë në Gjirokastër.

Ai dyshohet si një prej autorëve të grabitjes me armë të banesës së prindërve të Elton Çiçës, i cili u ekzekutua  në vitin 2015. Sipas policisë, në pranga ka përfunduar Erigers Mihasi, 30 vjeç.

Njoftimi i policisë

“Operacion i koduar “Yrshek” për zbardhjen e ngjarjeve të vjetra dhe kapjen e autorëve. Operacioni i zhvilluar nga Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, me qëllim  kapjen e një personi të dyshuar si bashkëpunëtor në një vjedhje me armë në vitin 2015  në Tepelenë.

Si rezultat i këtij operacioni,  kapet në Yrshek Tiranë,  30 vjeçari  E.M, për të cilin Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër kishte  urdhëruar ndalimin e tij pasi ka dyshime të arsyeshme se ky shtetas ka marrë pjesë në vjedhjen me armë të banesës së shtetasit N. C. në qytetin e Tepelenës më datë 31.03.2015.

Ndalimi i tij u bë për veprat penale “Vjedhja me armë, kryer në bashkëpunim”, “Plagosja e rëndë me dashje”  dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje  e armëve luftarake dhe e municionit””, njofton policia.

Ngjarja

Elton Çiço u qëllua për vdekje me dy plumba më 1 Maj të vitit 2015 rreth orës 22:20. Pasi ka qëlluar ndaj objektivit të tij, autori i ngjarjes është larguar duke vrapuar me shpejtësi nga ambientet e bar-kafesë dhe në një rrugice në afërsi të këtij bari ku ka ndodhur vrasja thuhet në vendimin e Gjykatës, ka hipur në një automjet që e priste me të cilin është larguar nga vendi i ngjarjes.

Si pasojë e plagëve të marra, shtetasi Elton Çiço ka gjetur vdekjen pothuajse të menjëhershme. Viktimës i është dhënë ndihma e parë nga personat që kanë qenë në tavolinë së bashku me të dhe me konkretisht shtetasit Redjan Rraja, A. T., dhe S. K., të cilët kanë njoftuar menjëherë shërbimin e ambulancës. Por viktima kishte ndërruar jetë para se të shkonte në ambientet spitalore. Nga këqyrja e kufomës ka rezultuar se, viktima ka pasur dy plagë të shkaktuara me armë zjarri, konkretisht një plagë në mollëzën e faqes së djathtë dhe një plagë në krahun e djathtë.

Në veprimet e para hetimore është pyetur në cilësinë e personit nën hetimin shtetasi A. T. Nga deklarimi ka rezultuar se, natën e ngjarjes ka qenë në bar-kafe “D****” me shokun e tij, shtetasin S. K. Pak më pas në bar-kafe ka shkuar një shoku i tij i quajtur Redjan Rraja, shoqëruar ky i fundit nga një shoku i tij i quajtur Elton Çiço.

Sipas deklaruesit, rreth orës 22:15 në lokal ka hyrë një person i seksit mashkull, rreth 170-175 centimetra i gjatë, ezmer, me kapele sportive në kokë, i cili kur i është afruar tavolinës së tyre ka nxjerrë nga brezi një pistoletë me mulli me të cilën ka qëlluar dy herë në drejtim të shtetasit Elton Çiço. Është pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni rreth ngjarjes shtetasi S. K.

Nga deklarimet e tij ka rezultuar se, ka qenë duke pirë kafe me shokun e tij shtetasin A. T., në ambientet e brendshme të bar-kafesë. Sipas deklaruesit, pas pak momentesh në tavolinë me këta janë ulur dy persona të tjerë të panjohur prej tij, por të njohur prej A. T.

Në kohën kur kanë qenë duke biseduar midis tyre, ai ka dëgjuar dy krisma të forta që dukej se vinin në anën e veshit të majtë të tij. Në moment ky shtetas është çuar menjëherë nga tavolina dhe është nisur për të dalë nga lokali, por më pas është kthyer dhe ka shkuar në drejtim të tualeteve të lokalit.

Redjan Rraja

Është pyetur në cilësinë e personit që deklaron rrethana të dobishme për hetimin shtetasi Redjan Rraja, ku nga deklarimi ka shpjeguar se: Gjatë gjithë ditës së ngjarjes ka qenë në shoqërinë e viktimës Elton Çiço.

Gjatë paradites bashkë kanë qenë në qytetin e Fierit, ku kanë drekuar me disa persona të tjerë të panjohur më parë prej tij, shokë të viktimës. Rreth orës 21:30, pasi kanë qenë duke udhëtuar me një automjet, kanë shkuar në drejtim të stadiumit “Selman Stermasi” në Tiranë. Pasi kanë parkuar automjetin, kanë shkuar në këmbë tek bar-kafe “D****” ku brenda tij janë ulur me shokët e tyre shtetasit A. T.

Duke ndenjur në kafe, në ambientet e brendshme ka hyrë një person i moshës 30-35 vjeç, 165-170 cm i gjatë, ezmer, në kokë mbante një kapele sportive, i cili kur është afruar në tavolinën ku ndodheshin, ka nxjerrë nga brezi një pistolete me mulli me të cilën ka qëlluar dy herë në drejtim të shokut të tij.

Ky shtetas ka dalë menjëherë nga lokali. Ndërkohë, nga këqyrja e kamerave të sigurisë, ka rezultuar se autori i kësaj vrasjeje është afruar tek vendi i ngjarjes me një automjet tip autoveturë me ngjyrë të errët, i cili e pret atë deri pasi kryen vrasjen e shtetasit Elton Çiços, brenda ambienteve të këtij lokali dhe pasi autori hipën me shpejtësi në këtë automjet, largohet nga vendi i ngjarjes.

Identifikimi i autorëve

Nga këqyrja e disa pamjeve filmike të marra në disa njësi tregtare, ka rezultuar se, më datë 01.05.2016 në orën 22:10:05 minuta një person me kapele në kokë. Referuar pamjeve filmike rezulton që, ky person ka karakteristika të njëjta me personin që ka hyre tek ambientet e bar “D*****”.

Është ndjekur lëvizja e autoveturës që dyshohej të kishte sjellë në vendin e ngjarjes personin e dyshuar si autor të mundshëm të veprës penale. Nëpërmjet këqyrjes së pamjeve filmike të kamerave të sigurisë të njësive të ndryshme tregtare ka rezultuar se, automjeti në fjalë ka dalë me datë 01.05.2016, në orën 21:58 min nga parkingu i shtetasit M. Delijorgji.

Nga informacionet e marra dhe nga pyetja e rojeve të parkingut rezultonte se ky automjet kishte hyrë në ambientet e këtij parkingu me datë 28.04.2016 dhe automjetin e kishin sjellë në këtë vend tre persona, të cilët nuk e kishin paguar parkingun dhe të cilët pasi e kishin parkuar ishin larguar në këmbë në drejtim të pallateve të kompleksit.

Njoftim i policisë për rastin, 1 prill 2015:

“Më datë 31.03.2015, filloi procedimi penal e punohet për kapjen e shtetasve S.J, A.J e R.R, vjeç 30, 37 e 31, banues në Durrës e në Tiranë, pasi dyshohet se rreth orës 00.30, në lagjen “Demokracia”, në banesën e shtetasit N.Ç, vjeç 61, në bashkëpunim, nën kërcënimin e armës dhe dhunës fizike, kanë vjedhur 5.000 euro. Me cilësinë e provës materiale u sekuestruan mjeti tip “Audi”, 1 automatik, 70 fishekë, 1 celular, 2 karta sms dhe disa dokumente identifikimi. Nenet 140, 278 e 25 të Kodit Penal”, thuhet në njoftim.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb