TIRANË

Policia e Tiranës ka arrestuar një person, i cili ishte shpallur  në kërkim ndërkombëtar për përdhunim, rrëmbim dhe vepra të tjera penale.  Gazetarja e “BalkanWeb”, Dorjana Bezat raporton se shtetasi i arrestuar është Erind Bicerri. Ai u vu në pranga nga policia në rrugën ”Arkitekt Sinani”, në kryeqytet.

Gjykata e Apelit në Milano e ka dënuar këtë shtetas me 7 vjet burg për kryerjen e veprave penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë”, “Rrëmbim” dhe vepra të tjera. Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Romën kanë filluar menjëherë punën për ekstradimin e tij drejt Italisë.

NJOFTIMI I POLICISE:

Operacioni nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, Departamenti i Policisë Kriminale dhe Interpol Tirana. Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim kombëtar e ndërkombëtar, Sektori i Forcës së Posaçme Operacioneve Speciale dhe Kërkimit, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale dhe Interpol Tirana, zhvilloi një operacion për kapjen e një të kërkuari nga drejtësia italiane, si rezultat i të cilit, në rrugën ”Arkitekt Sinani”, Tiranë, u bë e mundur kapja e 30-vjeçarit E.B., banues në Tiranë.

Arrestimi i përkohshëm i tij u krye pasi shtetasi E. B. ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma. Gjykata e Apelit Milano/ Itali e ka dënuar këtë shtetas me 7 vjet burg për kryerjen e veprave penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë”, “Rrëmbim” dhe vepra të tjera. Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Romën vijojnë punën për ekstradimin e tij drejt Italisë.

(n.m/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb