Ish shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Bardhyl Kollçaku aktualisht deputet i Partisë Socialiste u paraqit këtë të enjte në SPAK për të dhënë shpjegime në lidhje me një hetim të çelur për pronat e ushtrisë, mbi bazën e dy kallëzimeve të bëra në mars dhe prill të 2021 nga Artur Mecollari.
Ish-Zv/Komandanti i Forcës Detare kallëzoi zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ushtrisë, për shpërdorim të detyrës, duke argumentuar se kanë lejuar ndërhyrje në bazën e Limionit në Sarandë dhe atë të Shëngjinit, në shkelje të planit të vendosjes dhe të përhapjes dhe pa marrë miratimin e Presidentit.
Në kuadër të këtij hetimi deputeti Kollçaku u thirr dhe u pyet për më shumë se 3 orë në Prokurorinë e Posaçme, por në dalje nuk bëri komente, pasi siç tha nuk mund të cënonte sekretin e hetimit
“Mos ju ngelet hatri, është sekret hetimi”, tha Kollçaku për mediat.
Pas deputetit socialist, në SPAK dha shpjegime dhe ish-drejtuesi i lartë i forcës detare, kallëzuesi Mecollari, për të rikonfirmuar të gjitha pretendimet e ngrita prej tij në kallëzimet e paraqitura dy vite më parë.
FIllimisht ai kallëzoi dhënien me qira të të gjithë bazës së Limionit në Sarandë, e më pas dhe ndërtimin e një objekti nga një subjekt privat, në bazën detare të Shëngjinit.
Në të dyja këto raste – tha Mecollari – zyrtarët e Ministrisë dhe Ushtrisë kanë shpërdoruar detyrën, pasi kanë prekur planin e vendosjes dhe të përhapjes pa miratimin e Presidentit.
“Isha ne cilësinë e personit qe ka dijeni per vepren. Kam kallëzuar ish-shefin e shtabit, ish-ministren dhe Komisionerin per Informimin për “shpërdorim detyre” për dhënien me qira të bazës në Sarandë”, tha Meçollari.
Në ditët në vijim, SPAK pritet të marrë dëshmitë e zyrtarëve të tjerë të lartë.
(BalkanWeb)