Gjykata dënon me 18 vjet burg Talo Çelën si organizator i megagrabitjes së Rinasit. Talo Çela akuzohet për grabitjen e 4.5 milionë eurove në aeroportin e Rinasit në prill të vitit 2019.
Vendimi u dha nga trupa e gjyqtarëve e përbërë nga Erjon Bani, Rudina Palloj dhe Elsa Ulliri. Prokuroria e Posaçme kishte kërkuar më 4 nëntor dënimin e Talo Çelës me 19 vite burg.
Ai u shpall në kërkim në kuadër të operacionit të koduar “Plumbi i Artë”, që çoi në kapjen e Nuredin Dumanit, Henrik Hoxhajt si dhe të disa personave të tjerë, pjesë e botës së krimit.
Për ngjarjen e 2019, GJKKO në tetor të vitit të shkuar dënoi me 122 vite burg 7 të pandehurit e grupit kriminal.
Klement Çala u dënua me 20 vite, ndërsa gjashtë të tjerët Oltion Veseli, Renaldo Sulaj, Saimir Cela, Oltion Pikli, Alkon Bengasi dhe Eldi Çala me 17 vite burg.
Të dënuarit po e vuajnë dënimin në një burg të sigurisë së lartë.
Çela, një nga emrat më të shumëkërkuar të drejtësisë shqiptare, akuzohet për vrasjen e vëllezërve Haxhia si dhe dyshohet në përfshirjen e ekzekutimit të katër personave të tjerë, Indrit dhe Arben Dylgjerit, një shtetasi turk në 28 dhjetor 2018, si dhe Andi Zylyfit rreth një vit më pas.
Në grabitjen e Rinasit morën pjesë edhe vëllezërit Haxhia, ku njëri prej tyre, konkretisht Viktori dyshohet se mori pjesë në modifikimin e furgonit. Vetë Çela dyshohet se kishte ndihmuar në modifikimin e furgonit të përdorur me mbishkrimin “Hetimi Tatimor”, me qëllim që të futej lehtësisht në pistën e Rinasit, ku ndodhi edhe grabitja.
Ai akuzohet se ka porositur vrasjen e vëllezërve Haxhia sepse ata nuk po i jepnin paratë që grabitën bashkë në Rinas.