Ka kaluar për gjykim çështja për inceneratorin e Elbasanit, ndërsa janë caktuar akuzat për ish-ministrin Lefter Koka, Alqi Bllakon, Mirel Mërtirin, Klodian Zoton, Stela Gugalljan dhe personat e tjerë të përfshirë në aferë.
Mësohet se gjykata ka refuzuar kërkesën e ish-ministrit të Mjedisit, Koka dhe Bllakos, për gjykim të shkurtuar. Lajmi është bërë i ditur për BalkanWeb nga gazetarja Klodiana Lala.
Në seancën e kaluar ish-ministri Lefter Koka përmes avokatit të tij ka kërkuar pushimin e akuzave penale, ndërkohë që të njëjtën kërkesë bëri edhe Alqi Bllako.
Koka deklaroi se ai nuk ka kryer shpërdorim detyre dhe se nuk ka asnjë lidhje me veprën penale të pastrimit të parave. Po ashtu edhe Bllako përmes avokatit të tij, ka pretenduar se nuk ka asnjë rol në koncesionin e inceneratorit të Elbasanit.
VENDIMI
Në përfundim të shqyrtimit të çështjes në seancë paraprake, gjykata pasi dëgjoi palët dhe kërkimet e tyre, i shqyrtoi dhe i vlerësoi ato në raport me parashikimet e ligjit procedural dhe material penal, nën kufijtë e lëndës që shqyrton gjyqtari i seancës paraprake sipas parashikimeve të neneve 332-332/ë të K.Pr.Penale, si dhe pasi vlerësoi gjendjen e akteve, në referim të parashikimeve të nenit 332/dh pika 1 të K.Pr.Penale, duke mbajtur në vëmendje në këtë vlerësimin edhe qëndrimet e mbajtura nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë në vendimet nr. 169, datë 14.06.2022, nr. 215, datë 26.07.2022, nr.763, datë 05.07.2022 dhe nr.183, datë 24.06.2022 mbi rolin dhe kompetencat e gjyqtarit të seancës paraprake, Gjykata, bazuar në nenet 332, 332/a, 332/b, 332/c, 332/dh, pika 1), shkronja a), 332/ë, 332/gj 13, pika 3 të Kodit të Procedurës Penale,
VENDOSI:
1.Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, regjistruar me nr. 142/21, datë regjistrimi 09.12.2022 me objekt “Dërgimin në gjyq të procedimit penal me nr. 277 të vitit 2020;
2.Dërgimin për gjykim të procedimit penal nr. 277 të vitit 2020 të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ndaj të pandehurve :
2.1 Lefter Koka, akuzuar për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës”, e kryer në bashkëpunim, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose i të zgjedhurve vendorë” parashikuar nga neni 248 në lidhje me nenin 25 dhe neni 260 i Kodit Penal, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga, 287, gërmat a) dhe b) të Kodit Penal, e kryer në rrethanën cilësuese në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287, paragrafi 2 i Kodit Penal.
2.2 Alqi Bllako, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 në lidhje me nenin 25 të Kodit Penal;
2.3 Pëllumb Abeshi, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 në lidhje me nenin 25 të Kodit Penal;
2.4 Bardhul Çabiri, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 në lidhje me nenin 25 të Kodit Penal;
2.5 Serafin Papa, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 në lidhje me nenin 25 të Kodit Penal;
2.6 Etleva Kondi, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 në lidhje me nenin 25 të Kodit Penal;
2.7 Jonida Zeqo, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 në lidhje me nenin 25 të Kodit Penal;
2.8 Mirel Mërtiri, akuzuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose i të zgjedhurve vendorë”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245 në lidhje me nenin 25 të Kodit Penal dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga, 287, gërmat a) dhe b) të Kodit Penal, e kryer në rrethanën cilësuese në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287, paragrafi 2 i Kodit Penal.
2.9 Stela Gugallja, akuzuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose i të zgjedhurve vendorë”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245 në lidhje me nenin 25 të Kodit Penal dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga, 287, gërmat a) dhe b) të Kodit Penal, e kryer në rrethanën cilësuese në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287, paragrafi 2 i Kodit Penal.
2.10 Klodian Zoto, akuzuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose i të zgjedhurve vendorë”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245 në lidhje me nenin 25 të Kodit Penal dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga, 287, gërmat a) dhe b) të Kodit Penal, e kryer në rrethanën cilësuese në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287, paragrafi 2 i Kodit Penal.
2.11 Shoqëria tregtare “Albtek Energy” sh.p.k, akuzuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose i të zgjedhurve vendorë”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245 në lidhje me nenin 25 të Kodit Penal dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga, 287, gërmat a) dhe b) të Kodit Penal, e kryer në rrethanën cilësuese në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287, paragrafi 2 i Kodit Penal.
2.12 Shoqëria tregtare “Integrated Technology Services” sh.p.k, akuzuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose i të zgjedhurve vendorë”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245 në lidhje me nenin 25 të Kodit Penal dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga, 287, gërmat a) dhe b) të Kodit Penal, e kryer në rrethanën cilësuese në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287, paragrafi 2 i Kodit Penal.
3. Së bashku me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për dërgimin e çështjes në gjyq, dërgohen edhe kërkesat e të pandehurve (i) Lefter Koka, (ii) Alqi Bllako, (iii) Pëllumb Abeshi, (iv) Bardhul Çabiri, (v) Serafin Papa, (vi) Jonida Zeqo, (vii) Mirel Mërtiri, (viii) Stela Gugallja, (ix) Klodian Zoto, (x) shoqëria tregtare “Albtek Energy” sh.p.k dhe (xi) shoqëria tregtare “Integrated Technology Services” sh.p.k, për gjykim të shkurtuar, paraqitur në seancë paraprake nga të pandehurit dhe/ose mbrojtësit e tyre me akt të posaçëm përfaqësimi.
4. Bazuar në parashikimet e nenit 332/ë të K.Pr.Penale urdhërohet formimi i fashikullit të gjykimit i cili do të përmbajë (i) aktet e paraqitura në Prokuroria e Posaçme, gjithsej 101 (njëqind e një) fashikuj së bashku me provat materiale,; (ii) aktet e gjykimit në seancë paraprake. Aktet shkresore të paraqitura bashkëlidhur memove me shkrim nga mbrojtësit e të pandehurve gjatë seancës paraprake qëndrojnë në dosjen e seancës paraprake.
5.Dërgimin e çështjes për gjykim pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për t’u hedhur në short.
6.Në referim të nenit 332/gj, pika 1 të K.Pr.P kundër këtij vendimi nuk lejohet ankim.
(BalkanWeb)