VLORË- Policia e Vlorës ka arrestuar sot një të dyshuar si bashkëpunëtori i Met Kananit, i ashtuquajturi “Escobari i Ballkanit” i arrestuar në Turqi për trafik droge. Bëhet fjalë për Besmir Lupin, 32-vjeçarin që kishte rolin e tansportuesit të drogës në grupin kriminal të Met Kananit.


Policia e Shtetit thotë zyrtarisht se nga Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në vijim të operacionit ndërkombëtar antidrogë të koduar “Preçizioni”, në kuadër të proçedimit penal Nr.54 viti 2017 u bë ndalimi i shtetasit Besmir Lupi, 32 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë.


Kapja dhe ndalimi i tij u bë pasi Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda Tiranë ka dërguar urdhërin për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda Tiranë Nr.96 datë 11.05.2018, e cila i ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest me burg”, për veprën penale të “Trafikimit të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, dhe “Krijimit të grupit të strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/a/2, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.


Në kuadër të këtij operacioni është arrestuar më parë nga Policia turke edhe kreu i grupit të strukturuar kriminal Met Kanani.

Emri i Lupit është bërë publik që në 11 maj 2018, në kuadër të operacionit “Precizioni” ku u shkatërrua grupi kriminal i “Eskobarit” të Ballkanit, Met Kananit.

Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda Tiranë për veprime të mëtejshme procedurale.

(m.k/BalkanWeb)