TIRANE– Rikthehet në Parlament Spartak Braho. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u mblodh sot për të shqyrtuar projekt-vendimin për dhënien e mandatit të deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, kandidatit të listës shumemërore të PS-së për Qarkun Tiranë për plotësimin e vakancës, ndërsa Braho mori 7 vota pro, mandat nga i cili hoqi dorë Saimir Tahiri.

Tre ditë më parë u firmos procedura nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit për të zëvendësuar Saimir Tahirin, me pasuesin në listë, Spartak Brahon, ndërsa kërkesa shkoi në KQZ.

Braho ishte i 19-ti në listën e PS-së për Tiranën por ai kishte marrë një post tjetër si këshilltar, gjë që nuk e pengoi të pranonte mandatin.

Kodi Zgjedhor, neni 164 thekson se: “Në rastin se deputeti deklaron në mënyrë publike përpara komisionit përkatës të Kuvendit refuzimin, për të bërë betimin ose heqjen dorë nga mandati. Në këtë rast, Kuvendi, jo më vonë se 30 ditë, njofton KQZ-në për krijimin e vakancës. Mandati i ndërprerë i deputetit ose i anëtarit të Këshillit të Bashkisë i kalon kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike, në zonën zgjedhore përkatëse”.

Kujtojmë se Saimir Tahiri dorëzoi mandatin e deputetit një javë më parë pas hetimeve ndaj tij të nisura nga prokuroria me dyshimet si i përfshirë në trafik droge me bandën “Habilaj”.

NJOFTIMI I KQZ
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e ditës së sotme shqyrtoi projektvendimin:
-“Për dhënien e mandatit të deputetit të Kuvendit të Shqipërisë kandidatit të listës shumemërore të Partisë Socialiste, Qarku Tiranë, për plotësimin e vakancës së njoftuar nga Kuvendi i Shqipërisë, pas heqjes dorë nga mandati i deputetit z. Saimir Tahiri”. KQZ vendosi t’i japë mandatin e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, kandidatit të listës shumemërore të Partisë Socialiste, Qarku Tiranë, z. Spartak Braho.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb