TIRANË- Prokurorja e Përgjithshme Arta Marku kalon me sukses Vettingun. Vendimi është dhënë sot nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i cili rikonfirmoi në detyrë zonjën Marku.

“Trupi gjykues shqyrtoi të gjitha dokumentacionet dhe zhvilloi një hetim të thellë administrativ në tre shtylla për subjektin e rivlerësimit.
Trupi gjykues pasi dëgjoi avokaten, në përputhje me pikën 6 të nenit 55 të ligjit 84 të vitit 2016 e konsideron të përfunduar seancën dëgjimore. Në përfundim të këtij procesi të rivlerësimit trupi gjykues i përbërë nga Genta Tafa Bungo, relatore Pamela Qirko dhe Suela Zhegu vendosi konfirmimin në detyrë të zonjës Arta Marku”, tha relatorja.

Edhe sot kryeprokurorja nuk ishte në seancë, pavarësisht pakënaqësisë së shprehur nga vëzhguesi i ONM gjatë seancë së djeshme. Ajo përfaqësohej nga avokatja Lirime Çukaj, e cila deklaroi se është e drejtë e zonjës Marku të mos paraqitet.

Për sa i përket dyshimeve të ngritura nga ONM dhe ankesat ndaj kryeprokurores, avokatja Çukaj tha se personi ndaj të cilit Marku kishte kërkuar “arrest me burg” ishte përsëritës i veprës penale.

“Politika penale ka ndryshuar. Personi ishte përsëritës në veprën penale. Marku kërkoi burg, të parandalonte një ngjarje të rëndë”, u shpreh avokatja.

Ndërsa për komandimet në Prokurori, Çukaj tha se ka vakuum ligjor dhe duhet vijimësi institucionesh.

Komisioni i Pavarur Kualifikues vlerësoi aftësitë profesionale dhe të figurës, si dhe pasurinë e kreut të organit të akuzës.

Gjatë seancës, KPK vlerësoi se sipas ILDKPKI, Arta Marku ka bërë deklarim të saktë, ka burime të mjaftueshme financiare dhe nuk ka konflikt interesi.

Ndërkaq, edhe DSIK konfirmon përshtatshmërinë e Markut në detyrë.
Ish-prokurorja e Shkodrës u zgjodh Kryeprokurore e përkohshme në Kuvend, në një seancë të pazakontë më 18 dhjetor të 2017, kur deputetët e opozitës hodhën tymuese në shenjë proteste ndaj mënyrës së zgjedhjes së saj.

42-vjeçarja që punonte deri në atë kohë si zv.drejtuese e Prokurorisë së Shkodrës u ngjit në postin më të lartë të akuzës vetëm me votat e mazhorancës, pas 17 vitesh karrierë në sistemin e drejtësisë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb