TIRANE- Haki Çako nuk do të jetë më Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. “BalkanWeb” mëson se Çako është shkarkuar sot me vendim të Këshillit të Ministrave, pas propozimit të Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Mësohet gjithashtu se sot ministri Xhafaj, pati një takim gjatë të cilit falënderoi Drejtues Madhor Çakon për punën dhe bashkëpunimin e deritanishëm, në përmbushjen e misionit të Policisë së Shtetit.

Ministri Xhafaj vlerësoi kontributin, angazhimin dhe përkushtimin e zotit Çako në drejtimin e Policisë së Shtetit, gjatë viteve të fundit.

Megjithatë, realizimi i objektivave të këtij mandati qeverisës, në fushën e rendit dhe sigurisë publike, sfidat që e presin Policinë e Shtetit, kërkojnë një ritëm më të shpejtë dhe dinamikë të madhe pune. Për këtë arsye është i domosdoshëm një lidership i ri, me energjitë të reja për të motivuar dhe çuar përpara punën e Policisë së Shtetit. Puna e kësaj të fundit, domosdoshmërisht duhet të jetë e orientuar drejt rezultateve konkrete, me qëllim që t’u përgjigjet, kësisoj, më mirë kërkesave të kësaj faze të re dhe pritshmërive të larta të publikut dhe partnerëve ndërkombëtarë ndaj Policisë së Shtetit.

Kujtojmë se Çako ka një karrierë të gjatë në Polici dhe ka drejtuar me profesionalizëm struktura të niveleve të ndryshme.

Pak orë pas publikimit të lajmit, vendimi për lirimin nga detyra të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako u publikua edhe në faqen e Këshillit të Ministrave katër orë pas publikimit të lajmit.

vendimi

V E N D I M
PËR
LIRIMIN NGA DETYRA TË DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM TË POLICISË SË SHTETIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 15, të ligjit nr.108/2014, “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:
Z. Haki Çako, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, lirohet nga kjo detyrë.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

KRYEMINISTRI
EDI RAMA

(BalkanWeb)

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb