TIRANË
Policia e Tiranës ka dhënë informacion zyrtar për laboratorin e drogës që u gjet në zonën e Selitës në kryeqytet në një godinë të vjetër që dikur i përkiste shtetit.
Sipas policisë, gjatë orëve të para të mëngjesit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 kanë ndërhyrë në ambientet e një magazine të vjetër dykatëshe, në rrugën “Hamdi Pepa”, Selitë, ku nga informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, dyshohej se kultivoheshin bimë narkotike, me anë të llambave.
“Nga kontrollet, në katin e dytë të këtij objekti, i cili nga verifikimet rezulton i privatizuar nga shtetasit A. C., K. K. dhe V. S., shërbimet e Policisë gjetën të kultivuara në vazo plastike, 105 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa. Për rastin janë shoqëruar në ambientet e Policisë, disa shtetas, ndërkaq një grup i posaçëm hetimor po punon në vendngjarje, për të zbardhur dhe dokumentuar ligjërisht, rrethanat. Në përfundim të veprimeve procedurale do të japim njoftim të detajuar për këtë rast”, deklaron Policia.
Ndërkaq burime për gazetarin Igli Çelmeta bënë me dije se aktiviteti i paligjshëm u sinjalizua nga ish-deputeti i PD Halit Valteri.
Valteri pak kohë më parë ka filluar punë te ASHK dhe kati i parë i godinës është në zotërim të ASHK. Valteri ka shkuar për inspektim, ku me sa duket dhe ka vënë re aktivitetin kriminal. Ai ka sinjalizuar Drejtorin e Përgjithshëm të policisë Ilir Proda, i cili ka nisur për verifikim komisariatin nr. 2 që kanë zbuluar më pas magazinën ku kultivohej kanabis me llampa.
Godinat janë shtetërore po ende nuk është e qartë kush institucion i ka në zotërim.
Policia ka shoqëruar dhe marrë në pyetje 7 persona, mes tyre edhe rojet. Operacioni është ende në vijim, teksa nuk dihet ende sasia e drogës së sekuestruar.
(BalkanWeb)