ELBASAN

Në orët e vona të pasdites të së premtes, një  aksident i rëndë automobilistik u regjistrua në aksin e rrugës kombëtare Librazhd – Elbasan. Gazetari Fatmir Popja raporton për “Balkanweb” se një furgon mallrash në vendin e quajtur “Çezma e Myftarit” doli nga rruga dhe më pas u rrokullis dhjetëra metra, duke përfunduar në rrjedhën e lumit Shkumbin.

Fatmirësisht, drejtuesi i furgonit të mallrave gjatë këtij aksidenti që tmerroi drejtuesit e automjeteve tek po kalonin në këtë aks rrugor në momentin e ngjarjes pësoi dëmtime serioze, por pa rrezik për jetën. Nxjerrja  e tij nga furgoni  në rrjedhën e lumit u bë me mjaft vështirësi me ndihmën e efektivëve të shërbimit zjarrfikës dhe policisë së Librazhdit.

  • foto galeri

Rrjedha e rrëmbyeshme e  Shkumbinit për shkak të reshjeve e vështirësoi ndërhyrjen e forcave të shpëtimit për  nxjerrjen  e drejtuesit  që ndodhej në  furgonin e mallrave me targë AA 195 JX.  Policia e identifikoi shoferin dhe ai është shtetasi Klajdi Murataj nga Tirana, i cili u  transportua me ambulancë për në spital në gjendje të rëndë.

Fillimisht u dyshua se në automjet kishte patur të paktën edhe një person tjetër, por policia lokale bëri me dije se vetëm pak minuta para ngjarjes ky automjet i ishte nënshtruar kontrollit policor dhe se në të nuk kishte person tjetër përveç drejtuesit.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb