Zjarri ka përfshirë një banesë në katin e 4-t të një pallati në lagjen Kadri Qystri në Lushnje mëngjesin e kësaj të hëne. Në momentin e rënies së zjarrit nuk ka pasur asnjë banor në apartament dhe pasi kanë parë flakët dhe tymin të dalin nga ballkoni, banorët e lagjes kanë njoftuar zjarrfikësit.
Në vendngjarje kanë mbërritur dhe uniformat blu të policisë për të ndihmuar zjarrfikësit. Në apartament është djegur gjithçka pavarësisht ndërhyrjes së zjarrfikësve, të cilët kanë shuar zjarrin për të mos rrezikuar banesat e tjera në pallat, si dhe kanë larguar banorët e tjerë për mos të rrezikuar jetët e tyre.
Gazetari Julian Kasapi raporton për Balkanweb se sipas të dhënave paraprake dyshohet se ka qenë një shkëndijë elektrike që ka shkaktuar zjarrin. Pronari i banesës ishte larguar në orën 8.30 nga shtëpia dhe është njoftuar nga fqinjët për zjarrin.
Pasi ka parë banesën në flakë, i moshuari nuk është ndjerë mirë dhe është dërguar në spital për mjekim. Sipas asaj çfarë u tha fqinjëve kur kishte dalë nga banesa i moshuari kishte fikur gjithçka elektrike.
Lushnjë/Informacion paraprak
Rreth orës 09:30 në banesën e shtetasit N. D., në katin e katërt të një pallati, në lagjen “Kadri Qystri”, dyshohet se si pasojë e lënies ndezur të sobës së gazit për gatim, banesa është përfshirë nga flakët.
Nga zjarri janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Nga ndërhyrja e menjëhershme e shërbimeve të Policisë dhe atyre të zjarrfikëses është bërë e mundur shuarja e flakëve.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave të rastit.
(Balkanweb)