TIRANË

Zgjedhjet vendore do të mbahen më 30 qershor 2019. Presidenti i Republikës Ilir Meta ka dekretuar sot datën e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore. Më 31 tetor Presidenti Meta zhvilloi konsultime me palët përsa i përket datës së zgjedhjeve.

Ai takoi për 30 minuta kreun e grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla, i cili tha se bëhej fjalë për dy data, dy të dielat e fundit të qershorit. Takimin e dytë këshillues Kreu i Shtetit e pati me kreun e grupit parlamentar të PD, Edmond Spaho, sërish përreth 30 minuta. I fundit që takoi Meta ishte kreu i grupit parlamentar të LSI-së Luan Rama, me të cilin bisedoi përreth 60 minuta.

DEKRET PËR CAKTIMIN E DATËS SË ZGJEDHJEVE PËR ORGANET E QEVERISJES VENDORE
Në mbështetje të nenit 92, shkronja “gj” dhe nenit 93 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe në zbatim të rregullave të parashikuara në nenin 9, paragrafi 1 dhe 2 dhe nenit 10, paragrafi 1 dhe 2 të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar,

Dekretoj
Neni 1
Zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të zhvillohen ditën e diel, më datë 30 qershor 2019.

Neni 2
Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.

Nr. Dekretit 10928
Tiranë, më 05.11.2018

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb