Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka firmosur dekretin për emërimin e vakancës së tij të dytë në Gjykatën Kushtetuese, pas Besnik Muçit.

Në dekretin e publikuar në faqen zyrtare të Presidencës, thuhet se Meta ka dekretuar emërimin e Marsida Xhaferllarit si gjyqtare të Gjykatës Kushtetuese.

Ndërkohë, burime bënë më dije për “BalkanWeb” se Meta e ka firmosur dekretin sapo ka mbërritur në Rinas, pasi ka përfunduar vizitën në Francë.

Dekreti i Metës bën që tashmë Gjykata Kushtetuese të jetë funksionale, pasi më në fund do të ketë gjashtë anëtarë, përkatësisht Vitore Tusha, e vetmja që kaloi vettingun, dhe të zgjedhurit e rinj, Besnik Muçi (ende se ka kaluar vettingun), Arta Vorpsi, Elsa Toska, Fiona Papajorgji dhe Marsida Xhaferllari.

Por, ky institucion është në kaos, pasi Presidenti Meta nuk pranoi të dekretonte Arta Vorpsin, me pretendimin se Këshilli i Emërimeve në Drejtësi kishte vonuar listën e 4 kandidatëve për një vend në Gjykatën Kushtetuese dhe nuk kishte respektuar radhën, por emri i saj kaloi automatikisht në Kuvend pas propozimit të KED. Ndërkohë, që Kuvendi zgjodhi në sancën e fundit plenare edhe dy vakancat e tij për në Kushtetuese, Elsa Toskën dhe Fiona Papajorgjin.

Dekreti

Në mbështetje të neneve 93, 125 pikat 1 e 3, 129, 149/d pika 1, 179 pikat 2 e 12, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, neneve 7, 7/a pika 4, 7/b, 8 dhe 86 pika 4, shkronja “c” të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, pasi administrova “Listën Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve të lejuar për kandidim dhe Raportin e Arsyetuar të Renditjes së tyre për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese (vakancë e plotë) e shpallur nga Presidenti i Republikës me dekretin nr. 11133, datë 04.03.2019”, akte këto të miratuara nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi me vendimet nr.132, datë 21.09.2019 dhe 133, datë 21.09.2019; pasi u njoha me të gjithë praktikën dokumentare të vendimmarrjes dhe vlerësimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për kandidatët e ngelur në garë për plotësimin e kësaj vakance, përcjellë fillimisht nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi me shkresën nr. 553 prot., datë 08.10.2019 dhe plotësuar përfundimisht me shkresën e këtij organi me nr.714 prot, datë 07.11.2019; si dhe pasi vlerësova kandidatët e ngelur në garë për plotësimin e kësaj vakance, pas zgjedhjes nga Kuvendi në datën 11.11.2019, të dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, në përfundim vendosa të,

D e k r e t o j;

Neni 1

Zonja Marsida Xhaferllari emërohet gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese.

  • foto galeri

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb