TIRANE- Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ka shkuar në zyrën e Prokurores së Përgjithshme të përkohshme Arta Marku, mëngjesin e sotëm. Burime për “BalkanWeb” thonë se takimi i nisur në orën 09:00, ka zgjatur 30 minuta.

Sipas Prokurorisë së Përgjithshme “Në takimin e zhvilluar ditën e Premte në qendër të diskutimit ishte procesi i Vetingut në sistemin e drejtësisë, si edhe i njëjti proces i pritshëm edhe në radhët e Policisë së Shtetit”.

Një ditë më parë, Kryeprokurorja Arta Marku zhvilloi takime me kreun e komanduar të SHISH, Helidon Bendo, dhe ambasadorin gjerman në vendin tonë, Helmut Hoffmann.

Ndërsa një javë më parë, pak pasi mori detyrën Prokurorja e Përgjithshme Arta Marku u takua me ambasadorin e SHBA në Shqipëri, Donald Lu.

NJOFTIMI I PROKURORISE
Prokurori i Përgjithshëm, znj. Arta Marku priti në një takim Ministrin e Brendshëm, z. Fatmir Xhafaj, ku u diskutua mbi forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, me fokus të veçantë realizimin e procesit të Vetingut, luftën kundër korrupsionit dhe trafikut të lëndëve narkotike.

Në takimin e zhvilluar ditën e Premte (dt. 29.12.2017), në qendër të diskutimit ishte procesi i Vetingut në sistemin e drejtësisë, si edhe i njëjti proces i pritshëm edhe në radhët e Policisë së Shtetit.

Dy titullarët shprehën dakordësinë e plotë se këto procese kërkojnë një komunikim të vazhdueshëm dhe intensiv, me qëllim realizimin sa më të plotë dhe të shpejtë të pastrimit të institucioneve të sigurisë dhe të sistemit të drejtësisë nga zyrtarët me probleme në integritetin profesional dhe personal.

Në vijim të takimit, zonja Marku theksoi rëndësinë specifike që ka bashkëpunimi ndërmjet Prokurorisë dhe Ministrisë së Brendshme në forcimin e sigurisë në vend, si edhe në pëmbushjen e prioriteteve të vendit për integrimin në Bashkimin Europian.

Prokurori i Përgjithshëm u shpreh se do të angazhohet maksimalisht për koordinimin ndërinstucional, me qëllim zhvillimin me sukses të hetimeve të rëndësishme, si edhe të çdo procedimi penal me impakt të lartë shoqëror.

Ministri i Brendshëm, z. Xhafaj garantoi se institucioni që ai drejton, si edhe Policia e Shtetit, do të vijojnë forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit për rritjen e hetimeve proaktive, ku prioritet do të jetë lufta kundër korrupsionit.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb