Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim projektligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2025, me 59 vota pro, 0 kundër dhe 2 abstenime, duke hapur kështu rrugën për ndarjen e buxhetit të ardhshëm të vendit.
Partitë opozitare nuk morën pjesë në votim, duke shprehur kritika ndaj projektbuxhetit të vitit 2025, të cilin e cilësuan si jo zhvillimor.
Projektbuxheti, në vlerë prej 3.6 miliardë eurosh, është miratuar nga Qeveria e Kosovës më 30 tetor dhe përfaqëson një rritje prej 9% krahasuar me buxhetin e vitit 2024, që ishte 3.3 miliardë euro.
Sipas Projektbuxhetit për vitin 2025, ekonomia e Kosovës pritet të rritet për 4.5% gjatë vitit aktual, duke ruajtur trendin rritës në vitin e ardhshëm me një parashikim për një rritje prej 5.6%, shkruajnë mediet e Kosovës.
Kontributi kryesor në rritjen ekonomike pritet të vijë nga konsumi privat, investimet private dhe publike, si dhe nga eksportet e mallrave dhe shërbimeve.
Projektbuxheti do të dalë për shqyrtim të dytë dhe, nëse është e nevojshme, edhe për një shqyrtim të tretë, duke synuar miratimin përfundimtar deri në fund të vitit 2024.