TIRANË- Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka vendosur shkarkimin e gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese Altina Xhoxhaj.

Vendimi u mor pasi KPK shqyrtoi për një javë dokumentacionin e paraqitur nga Xhoxhaj për të argumentuar pasurinë e deklaruar.
altina xhoxhaj
“Komisioni e konsideron të mbyllur procesin e rivlerësimit. Trupa gjykuese vendosi me shumicë votash shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit”, deklaroi sot KPK.

Gjatë shqyrtimit të dosjes së anëtares së Kushtetueses, KPK-ja konstatoi mospërputhje në deklarim të burimin e parave, vendime në konflikt interesi, mbajtjen e një sasie të madhe cash, mungesë të ardhurash për blerjen e një apartamenti 109 m2 në vitin 2005 si dhe probleme me një truall në Gjirin e Lalzit.

Në seancën e 25 prillit KPK shtyu në momentin e fundit nxjerrjen e vendimit, me pretendimin se kërkonte më shumë kohë për të llogaritur likuiditetitet në deklaratën e pasurisë së gjyqtares, pasi pretendohej se gjyqtarja ka fshehur të ardhurat.

Sipas Open Data të ardhurat e deklaruar për periudhën kohore të viti 2014, Altina Xhoxhaj përfiton nga paga si anëtar i Gjykatës Kushtetuese, shumën prej 1 894 950 lekë. Të ardhura si pedagoge e jashtme në Shkollën e Magjistraturës, shumën prej 112 500 lekë. Të ardhura si trajnuese, projekti i BERZH-it për trajnimin e gjyqtarëve, shumën prej 1 500 euro. Të ardhura nga qiraja e apartamentit në Tiranë, 3780 euro, kontrata e lidhur më 1 nëntor 2013, rifreskuar më 1 nëntor 2014. Ndërkohë bashkëjetuesi Arben Idrizi, përfiton të ardhura neto nga paga si sekretar i Përgjithshëm në institucionin e Presidentit të Republikës, shumën prej 1 490 880 lekë. Për shërbime jashtë vendit në funksionin e sekretarit të Përgjithshëm Arben Idrizi, përfiton shumën prej 1 885 dollarë. Kursime nga të ardhurat nga paga e vitit 2014, rezulton shuma prej 1 100 000 lekë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb