TIRANË

Gjykata e Tiranës ka dënuar sot për shpifje kreun e PD-së Lulzim Basha, pas padisë që bëri deputeti Taulant Balla në lidhje me akuzat e liderit demokrat për “Toyota Yaris”. Deputeti socialist pas vendimit tha për mediat se ky është një vendim historik.

Balla e paditi Bashën për shpifje në qershor të vitit të kaluar, pasi tha në Kuvend se shuma e 3.4 milionë eurove e zbuluar ne dy makinat ‘Toyota Yaris’ i përkiste atij. “Shikoni si zgërdhihen, njëri prej atyre që zgërdhihet më shumë ka qenë në Gjermani para tre ditësh. Mbaheni mend këtë që po ju them dhe ka porositur një Toyota Yaris, po ta kanë zbuluar Toyotën o zgërdhimtar, bashkë me 1.5 mln euro të drogës brenda. Vazhdo qesh, do e shikosh cfarë do të tunden para hundës shumë shpejt”, deklaroi Basha në Parlament në 20 qershor të vitit të kaluar.

Pas kësaj Taulant Balla kërkoi dënimin e Lulzim Bashës. Prokurori Agron Gjana në seancën e kaluar kërkoi pushimin e çështjes, pasi sipas tij Basha ka thënë opinione dhe jo akuza nga foltorja e Kuvendit dhe se nuk ka elementë të veprës penale. Por gjyqtari i Gjykatës Penale të Tiranës Gerd Hoxha vendosi ta shpall fajtor dhe ta dënojë Bashën me 50 mijë lekë gjobë.

“Sot është data 21 janar dhe le të jetë ky një ogur i mirë për ndëshkimin përfundimtar edhe përsa i përket akuzave qoftë ndaj tij apo Berishës për krimin shtetëror të tetë viteve më parë në bulevardin e Kombit. Ne politikanët duhet të kuptojmë që jemi qytetarë e duhet të trajtohemi njëlloj nga gjykata. Vendimi i gjykatës sot është një vendim historik ne duhet të reflektojmë gjatë. I pari që duhet të reflektojë është Lulzim Basha i cili sot është shpallur fajtor dhe duhet të shlyejë dënimin e merituar që sot gjykata dha. I kërkoj PD e Lulzim Bashës të heqë dorë nga kjo politike bajate e bazuar në shpifje.
Basha sot është shpallur fajtor dhe i detyrohet shtetit shqiptar të shlyejë dënimin që sot gjykata dha. “Do i kërkoja Bashës dhe PD-së që të heqin dorë nga kjo politikë bajate e bazuar në shpifje. Ky vendim gjykate të jetë një moment që PD të reflektojë në marrëdhënien ndërinstitucionale që ka qoftë me maxhroancën, qoftë me Kuvendin apo institucionet e tjera”, deklaroi kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.

Për sa i përket 21 janarit Balla tha se ai krim do hetohet. “Të jeni të sigurt që ai krim do hetohet dhe fajtorët do hetohen”, tha deputeti i PS.

PRONONCIMI I PLOTË I BALLËS
Gjoba, që Gjykata vendosi të ndëshkojë shpifësin Lulzim Basha, në rastin e një gjykimi penal administrohet nga shteti. Në aspektin civil e njoftoj Lulzim Bashën sot, se do të përballet edhe me një padi tjetër, shuma e së cilës do garantojë ndërtimin e një kopshti të mirëfilltë.

Ajo që dua të them sot për të gjithë shqiptarët është se ndoshta rastësia ka bërë që Lulzim Basha të dënohet me vendim penal në 21 janar 2019, por le të jetë ky një ogur i mirë për ndëshkimin përfundimtar edhe për sa i përket akuzave ndaj tij dhe Sali Berishës apo fajtorë të tjerë për krimin shtetëror të tetë viteve më parë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Ne politikanët duhet të kuptojmë se në radhë të parë jemi qytetarë dhe duhet të trajtohemi njëlloj nga Gjykata. Të drejtën tonë për deklarime publike nuk duhet ta shfrytëzojmë aspak për shpifje të ulëta. Ky vendim gjykate sot është një vendim historik për të cilin, ne politikanët, duhet të reflektojmë gjatë. I pari që duhet të reflektojë është Lulzim Basha, i cili sot është shpallur fajtor penalisht dhe i detyrohet shtetit shqiptar të shlyejë dënimin e merituar që sot Gjykata dha.

E dyta, dua të them që do t’i kërkoja Lulzim Bashës dhe Partisë Demokratike që të heqin dorë nga kjo politikë bajate e bazuar tërësisht në shpifje.
Ky vendim gjykate sot, le të jetë të jetë një moment që edhe Partia Demokratike, meqenëse jemi edhe në fillim të sesionit të ri parlamentar, të reflektojë në marrëdhënien ndërinstitucionale që ka qoftë me mazhorancën, qoftë me Kuvendin e Shqipërisë apo institucionet e tjera të këtij vendi.

Le të jetë ky fillim sesioni ku opozita të ketë tërësisht një qasje tjetër ndaj Kuvendit të Shqipërisë duke ushtruar përgjegjësinë e vet.
Parlamenti është gjithmonë vendi ku opozita ka rolin e vet shumë të rëndësishëm për të ushtruar sa duhet kontrollin e duhur parlamentar, jo vetëm ndaj qeverisë, por ndaj çdo institucioni, po të kujtojmë që Shqipëria është një Republikë e pastër parlamentare dhe Kuvendi është institucioni më i lartë.

Z. Balla ju e cilësuat këtë vendim të sotëm për dënimin e z. Basha si historik, por nga ana tjetër jeni po ju socialistët që keni sulmuar ashpër Gjykatën e Tiranës kur dha vendimin për të akuzuarit e 21 Janarit. Është historik për faktin se jeni ju fitues apo sepse mendoni se ka nisur të veprojë drejtësia e re?
Unë mendoj se drejtësia e re ka filluar të japë efektet e para dhe nuk kam asnjë dyshim se drejtësia e re do të jetë ajo që do ta hetojë siç duhet krimin shtetëror të 21 janarit 2011. Do të jetë gjykata si një institucion i pastruar dhe një institucion që ka kaluar më së miri procesin e Vettingut për të dhënë vendimet e merituara të të gjithë autorëve dhe fajtorëve të krimit shtetëror të 21 Janarit.

Për të qenë korrekt me pyetjen tuaj, dua të them që le të jetë ky një vendim i parë që të fillojë të shërojë politikën nga çështjet e shpifjeve. Meqenëse sot jemi tetë vite pas krimit shtetëror të 21 Janarit, të jeni të sigurt që ai krim do të hetohet dhe autorët e përgjegjësit do të ndëshkohen.

Z. Balla një pjesë e informacionit të dhënë nga Lulzim Basha në Parlament rezultoi i vërtetë për sa kohë në portin e Durrësit u bllokua një sasi e konsiderueshme eurosh. Pas kaq muajsh a keni ju informacionin se kush e informoi Lulzim Bashën për “Toyota Yaris”?

Kjo është një çështje që i takon institucioneve të drejtësisë. Unë në dallim shumë të madh ndaj të dënuarit Lulzim Basha me vendim gjykate sot, kam ushtruar të gjitha detyrimet si shtetas, por edhe si deputet, që në rastin më të parë të vënies në dijeni të një krimi të vë në informim Prokurorinë.

I vënë në dijeni edhe të një krimi tjetër të kryer nga Lulzim Basha, sikurse është vepra penale e shpifjes, nisa një proces i cili sot rezultoi me vendimin për shpalljen fajtor të të dënuarit Lulzim Basha. Faleminderit!

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb