Pas ndërhyrjes kirurgjikale të enjten, kryeministri Edi Rama ka lënë sot spitalin. Kreu i qeverisë kaloi natën në Qendrën Spitalore “Nënën Tereza”, pasi iu nënshtrua operacionit për hernien inguinale, të kryer ditën e djeshme.

Ndërhyrja iu besua pesë mjekëve, të njëjtët të cilët kryen edhe operacionin në 17 prill, kur kreu i qeverisë hoqi apendicitin.

Ditën e djeshme mjeku Arben Gjata në një reagim për News24, u shpreh se gjendja e kryeministrit është stabël. Mjeku informoi se operacioni kishte zgjatur rreth 2 orë.

“Rama është zgjuar nga anestezia dhe është në gjendje stabël. Operacioni i Ramës zgjati rreth 2 orë, ndërsa kryeministri do të qëndrojë sot në ambientet spitalore Operacioni ishte planifikuar disa ditë më parë”, u shpreh një ditë më parë Gjata.

Stafi i mjekëve të QSUT që kanë realizuar ndërhyrjen kirurgjikale ndaj kryeministrit në të dyja rastet janë: Profesor Arben Gjata, shefi i kirurgjisë dhe rektori i Universitetit të Mjekësisë; profesor Krenar Lila, shefi i anestezi-reanimacionit; profesor Arben Beqiri, kirurg; asistent-profesor Saimir Kuçi anestezist dhe doktor Dritan Rahovica, kirurg.

Ishte vetë kryeministri Edi Rama që paralajmëroi në fund të gushtit se do të operohej sërish për shkak të një tjetër problemi shëndetësor, pas ndërhyrjes në apendicit.

Unë mund të flas edhe si pacient i spitalit që e provova vetë, madje mund të vij prapë për një tjetër ndërhyrje, kam një hernie inguinale që…i kam mësuar edhe emrin… se kësaj diskales nuk kërkoj mjek se punoj me forcat e mia, me streç dhe vetëpërmbajtje para ushqimit që të mos e rëndoj shumë me kolonën e lodhur nga basketbolli, por kësaj inguinales me sa duket nuk i bëj dot derman me forcat e mia, kështu që do të vij prapë”, tha Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb