Dy persona janë ndaluar nga Policia e Tiranës në lidhje me protestën e organizuar nga opozita ditën e hënë.

Blutë njoftojnë se dy personat janë ndaluar në lidhje me dhunën e ushtruar gjatë tubimit, ndërsa ka nisur procedimi në gjendje të lirë për pesë të tjerë, përfshirë edhe një 17-vjeçar.

Njoftimi:

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, në lidhje me aktet e dhunshme të ushtruara gjatë protestës së zhvilluar më datë 07.10.2024, ndaloi shtetasit:

– S. B., 49 vjeç, banues në Krujë, për veprat penale “Goditjet për shkak të detyrës”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, parashikuar nga nenet 237, 282 dhe 323 të Kodit Penal;

– G. T., 47 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Goditjet për shkak të detyrës” dhe “Shkatërrimi i pronës”, parashikuar nga nenet 237 dhe 150 të Kodit Penal.

Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit H. B., 68 vjeç, I. T., 49 vjeç, K. K., 43 vjeç, M. T., 24 vjeç, dhe një shtetas të mitur 17 vjeç, për veprat penale “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”, parashikuar nga nenet 274 dhe 236 të Kodit Penal.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: