TIRANË- Pas takimit me aleatët e tij, kryeopozitari Lulzim Basha ka bërë një paralajmërim të fortë për rivalin e tij politik, Edi Rama.

Teksa njoftoi mbledhjen nesër në orën 09:30 të opozitës para Kuvendit, Basha i ka një mesazh të qartë Ramës, se nëse ky i fundit voton kryeprokurorin, kostoja do jetë e madhe për të.

“Siç e keni marrë vesh, mbledhja e tryezës së bashkuar të opozitës ka përfunduar me një vendimmarrje unanime. Opozita është e bashkuar dhe e vendosur për protestën e së nesërmes, protestë e cila do të zhvillohet brenda dhe jashtë sallës së Kuvendit, nga opozita parlamentare dhe nga qytetarët e bashkuar për të kundërshtuar me çdo formë dhe mjet demokratik puçin kushtetues që Edi Rama do të vërë në jetë nesër. Interesi i Edi Ramës është dhe vetëm një; të shpëtojë Saimir Tahirin, për të shpëtuar lëkurën e tij. Të mbyllë dosjet e korrupsionit dhe hajdutërisë masive të ministrave të tij, të ndihmojë narkotrafikantët që kanë rënë në rrjetën e Krimeve të Rënda apo në rrjetat e Antimafias dhe institucioneve ndërkombëtare të ligjzbatimit, të pengojë me çdo kusht nisjen e pastrimit të madh të politikës nga krimi përmes Reformës në Drejtësi.

Nesër Edi Rama ka dy qëllime. Duke dhunuar Kushtetutën të emërojë një prokuror politik. Duke emëruar një prokuror politik, të pengojë, të ngadalësojë apo të asgjësoje dosjet e krimit dhe korrupsionit që lidhin bashkëpunëtorët e tij të ngushtë me krimin dhe me atë vetë. Në këto kushte, shqiptarët kanë të vetme zgjedhje, që mund të ketë çdo popull i civilizuar kur Kushtetuta, pakti që ndaj të mirën nga e keqja, politikën demokratike nga diktatura, dhunohet dhe shkelet, dhe kjo është të bashkohemi për të treguar që ky vend ka institucionin e opozitës në këmbë, ka qytetarët e lirë në këmbë për të mbrojtur liritë themelore. Nëse nesër, Edi Rama tenton të çojë deri në fund puçin e tij kushtetues, duhet ta dijë se kostoja e përballjes do të jetë e madhe në kuptimin e goditjes që do t’i japë bashkëjetesës demokratike, stabilitetit në vend, dhe se shqiptarët si çdo komb tjetër i civilizuar nuk mund dhe nuk do ta pranojnë as dhunimin e Kushtetutës, as kapjen politike të drejtësisë, as asgjësimin e Refomës në Drejtësi për të cilën kemi investuar kaq shumë dhe që shqiptarët mezi e presin për interesat e tyre si qytetarë por edhe për interesin madhor kombëtar të pastrimit të politikës nga krimi, pa të cilën nuk do të ketë as hapje negociatash, as Shqipëri europiane.

Pra, nesër bashkohemi për këto qëllime të mëdha që i ndajnë kombet e civilizuara nga kombet e robëruara. Për të mbrojtur Kushtetutën, për të mbrojtur drejtësinë nga kapja politike, për të mbrojtur Reformën në Drejtësi. Reagimi i qytetarëve në këto 24 orë të organizimit opozitar është i jashtëzakonshëm ndaj dua t’i ftoj të gjithë ata që duan me të vërtetë demokraci, duan reformën në drejtësi, duan të kenë të garantuara kushtet për të jetuar këtu dhe jo një Shqipëri që rrënohet ditë për ditë dhe e bën të pamundur për të ndershmin, për njeriun me integritet, me talent, të jetojë në Shqipëri port ë largohet si refugjat, të gjithë të bashkohemi para Kuvendit të Shqipërisë, para Parlamentit në orën 9.30 kur do të nisë protesta popullore jashtë Kuvendit dhe protesta popullore brenda Kuvendit. Ju ftoj të jemi të gjithë së bashku pavarësisht bindjeve politike. Ajo që na bashkon si shqiptarë dhe si europianë është mbrojtja e Kushtetutës, drejtësia e pakapur politikisht, dhe mbrojta e Reformës në Drejtësi si e vetmja garanci për një Shqipëri europiane.”, tha Basha.

MBLEDHJA ME ALEATET
Partia Demokratike ka paralajmëruar një protestë ditën e hënë për të kundërshtuar zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri të Përkohshëm nga maxhoranca.

Po sot kreu i PD-së u takua me aleatët e tij. Siç njoftoi për ‘BalkanWeb’ gazetarja Elda Menga, takimi nisi në orën 17:30 Basha u takua me aleatët e PD-së në selinë blu. Në takim u diskutua për protestën nesërme dhe për koordinimin e aksionit opozitar.

Kujtojmë se sot edhe LSI mblodhi Komitetin Drejtues Kombëtar për të ndërmarrë hapat e radhës kundër zgjedhjes së Kryeprokurorit vetëm me votat e maxhorancës. Kryetarja e LSI-së iu bëri thirrje anëtarëve t’i bashkohen protestës jashtë parlamentit, ndërsa deputetët do të kundërshtojnë brenda sallës, në seancën e paralajmëruar. Tre ditë më parë maxhoranca në Komisionin e Ligjeve miratoi një raport për 7 kandidaturat për Kryeprokuror, ku vetëm 3 prej tyre sipas deputetëve të PS-së përmbushin kriteret e përcaktuara.
(m.k/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb